Nesër në Bruksel, Maqedonia e Veriut mban Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, në të cilën kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lexojë deklaratën hyrëse në gjuhën maqedonase.

Fill pas kësaj, nis verifikimi që do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të atij procesi është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të përfundojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë.

Mbajtja e konferencës u mundësua pas miratimit që iu bë në parlamentit maqedonas propozimit të shumëdiskutuar francez. Drita jeshile erdhi në formën e aprovimit të disa konkluzioneve që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. “Kuvendi e detyron qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Propozimi francez parashikon kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e quajti këtë një moment  historik për qytetarët e vendit. Në një intervistë për  Zërin e Amerikës, ai tha  se pretendimet se autoritetet e vendit kanë bërë lëshime përsa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, janë të pajustifikuara.

“Mendoj se opozita u përfshi nga një valë emocionesh, nga një valë folklorizmi, thënë më shkurt pati një tendencë për manipulim të masave, gjoja se po humbet identiteti kombëtar maqedonas, po humbet gjuha maqedonase, po asimilohet kombi maqedonas me atë të bullgar. Të gjitha këto ishin më tepër për politika ditore dhe për t’u shtuar pikë partive të tyre, sesa diçka substanciale që kishte në gjithë këtë fushatë, apo gjithë këtë propagandë që e bënë dhe kjo më në fund u pa, edhe masat në përgjithësi e kuptuan që e tërë kjo bëhet vetëm e vetëm për të përmirësuar pozicionin e tyre politik në shoqëri, sesa diçka thelbësore në gjithë këtë aktivitet që ata e bënë”.

Për gati dy vjet, Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, mbajti në fuqi veton për nisjen e negociatave mes bllokut dhe Shkupit, për shkak të mospajtimeve sa i përket historisë dhe gjuhës maqedonase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA