Zjarret në Francën jugperëndimore dhe në Spanjë vazhduan të përhapeshin me shpejtësi të shtunën, duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen nga shtëpitë e tyre pasi temperaturat e përvëluese të verës, po i alarmojnë autoritetet në vendet evropiane.
Rreth 14,000 njerëz ishin evakuuar nga rajoni Gironde i Francës deri të shtunën pasdite, ndërsa më shumë se 1,200 zjarrfikës luftonin për të vënë nën kontroll flakët, thanë autoritetet rajonale në një deklaratë.
“Zjarret do të vazhdojnë të përhapen për sa kohë që nuk stabilizohen,” tha në një konferencë shtypi Vincent Ferrier, nënprefekti i Langonit në Gironde.
Zjarret janë përhapur me shpejtësi javët e fundit në Francë dhe vende të tjera evropiane, përfshirë Portugalinë dhe Spanjën, dhe më shumë se 10,000 hektarë tokë u dogjën në rajonin Gironde të shtunën, nga 7,300 hektarë që ishte sipërfaqja e djegur të premten.
Në parashikimin më të fundit të motit, 38 nga 96 zonat e Francës u përfshinë në nivelin “portokalli” të alarmit “portokalli”. Vala e të nxehtit në Francën perëndimore pritet të arrijë kulmin të hënën, me temperatura që do të arrijnë në mbi 40 gradë Celsius.
Në Spanjën fqinje, zjarrfikësit po luftonin me një sërë zjarresh të shtunën pas ditëve me temperatura jashtëzakonisht të larta që arritën deri në 45.7 C.
Vala e të nxehtit gati njëjavore ka shkaktuar 360 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, sipas të dhënave nga Instituti Shëndetësor Carlos III.
Më shumë se 3,000 vetë janë evakuuar nga shtëpitë për shkak të një zjarri të madh pranë Mijas, një qytet në provincën e Malagas që është i preferuar nga turistët e Evropës veriore, thanë shërbimet e urgjencës të rajonit në një postim në Twitter herët të shtunën.
Shumë u dërguan për t’u strehuar në një qendër sportive rajonale.
Gjetiu në Spanjë, shtëllunga të zeza tymi të dendur mbuluan ajrin pranë Casas de Miravetes në rajonin e Extremaduras, ndërsa helikopterët hodhën ujë mbi flakët që kanë djegur 3000 hektarë, kanë detyruar evakuimin e dy fshatrave dhe rrezikojnë të arrijnë në parkun kombëtar Monfrague.
Zjarret vazhdojnë të përhapen gjithashtu në rajonin qendror të Castijës dhe Leonit dhe në Galicia në veri.
Në Portugali, temperaturat ranë në pjesën më të madhe të vendit të shtunën pasi arritën rreth 40 C ditët e fundit.
Një total prej 39,550 hektarësh janë shkatërruar nga zjarret nga fillimi i vitit deri në mes të qershorit, më shumë se trefishi i sipërfaqes së rrafshuar nga zjarret në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës dhe Pyjeve.
Ministria e Shëndetësisë e Portugalisë tha se 238 persona kishin vdekur si pasojë e valës së të nxehtit midis 7 dhe 13 korrikut, shumica të moshuar dhe me sëmundje ekzistuese.
Në Britani, shërbimi kombëtar metereologjik ka lëshuar paralajmërimin e parë të kodit të kuq për “të nxehtin e skajshëm” për pjesë të Anglisë të hënën dhe të martën.
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Britani është 38.7 C, e regjistruar në Kembrixh më 25 korrik 2019./VOA
Top Channel