Parlamenti maqedonas mblidhet sërish sot për të diskutuar për të tretën ditë me radhë propozimin francez, që pretendohet të hapë rrugën e negociatave me BE-në, por ka hasur kundërshtime të mëdha në vendin fqinj.
Deputetët ë opozitës shprehën sërish revoltë kundër propozimit, duke fishkëllyer, e bërtitur. Situata u tensionua kur Dimitar Apasiev i Partisë e Majta, fillimisht gati sa nuk u përlesh me deputetin e LSDM-së, Martin Kostovskin. U desh të ndërhynin ligjvënës të tjerë që situata të mos degjeneronte në përplasje fizike.
Apasiev më pas iu kthye edhe kryeparlamentarit Talat Xhaferri, i cili i mbylli mikrofonin. Në momentet e konfrontimit verbal, Xhaferi iu drejtua duke i thënë: Mos ma drejto mua atë gisht, sepse ai gisht mund të thyhet”! Apasiev i bëri thirrje deputetëve shqiptar të mos e mbështesin propozimin francez sepse sipas tij do të hapet kutia e Pandorës dhe më pas shqiptarët nuk do të kenë të drejtë morale të ankohen. Ai shtoi se me miratimin e këtij propozimi do të dalin në pah linjat ndëretnike, sepse kështu, u shpreh ai, partitë shqiptare po vërtetojnë se janë kundër interesave të popullit maqedonas.
Të enjten, ligjvënësit dolën në përfundimin se nuk do të votojnë pro ose kundër propozimit në tërësi. Në vend të kësaj, ata do të vendosin për një sërë përfundimesh të cilat do të miratohen gjatë gjithë debatit. Ndërsa, teorikisht, propozimi në cilëndo formë duhet të kalojë për shkak të shumicës së partisë në pushtet, mund të ketë probleme të mëtejshme përpara. Kjo, sepse për të ndryshuar kushtetutën siç e kërkon propozimi francez me qëllimin të integroheshin aty bullgarët, do të duhej të kishte një shumicë prej dy të tretash, e cila aktualisht nuk mund të arrihet.
Top Channel