Një dron nënujor ndihmon që nga e hëna në operacionin e kërkim-shpëtimit për të gjetur një turist 28-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili u zhduk të shtunën në mbrëmje pasi u përfshi nga rrymat detare ndërsa po notonte me dy shokë të tij në plazhin e Possidit, të Halidhikisë.
Të tre turistët vendosën të zhyten në det gjatë një feste, por nuk ishin në dijeni se rryma atë ditë ishte jashtëzakonisht e fortë.
Deri më tani, vetëm dy prej tyre janë gjetur, i pari 25-vjeçari Vasil Brezovski u shpëtua nga roja bregdetare greke vetë dy orë më pas.
“Rryma na çoi në det. E pashë shokun tim për një orë, por më pas e humba. Pra, nuk e di se çfarë ka ndodhur me të. Lutem të jetë mirë, por të shohim“, tha Vasil Brezovski, turisti i parë i shpëtuar.
Pamjet kur ekipi i shpëtimit ka sjellë në breg Ivan Geogerfkin, 30 vjeç,të mbijetuarin e dytë ,kanë bërë xhiron e mediave greke.
I riu mundi të mbijetonte në ujë duke u mbajtur pas një topi që e gjeti teksa notonte për gati 19 orë.
Megjithëse topit po i mbaronte ajri, Ivani ishte ende në gjendje ta përdorte atë për të marrë frymë dhe për të qëndruar në det ndërsa tërhiqej nga rryma e fortë.
Ndërsa topi në fjalë u ka humbur në det dy fëmijëve të një familje me pushime në një plazh në ishullin e Limnos, Ivani është gjetur në det të hapur pranë brigjeve të qytetit verior grek të Katerinit.
Pavarësisht historisë së tij të frikshme të mbijetesës, 30-vjeçari ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe autoritetet besojnë se ai mbijetoi për faktin se është një notar veçanërisht i fortë.
Kërkimet për të zhdukurin e tretë po vazhdojnë, por përderisa kanë kaluar kaq shumë orë dhe kushtet e motit nuk janë të favorshme, autoritetet detare vlerësojnë se nuk ka shumë shpresa që mund të gjendet i gjallë.
Top Channel