Taulant Balla është i bindur që  javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare  e Bashkimit Europian jo vetëm me Shqipërinë, por edhe Maqedoninë e Veriut.

Sigurinë e tij numri dy i Partisë Socialiste e mbështet në zhvillimet e pritshme të enjten në Parlamentin maqedonas, i cili vendos mbi propozimin francez.

“Unë thash me shpresë që brenda kësaj jave një prej detyrave të shtëpisë të planit francez për Maqedoninë e Veriut të përmbushet dhe thirrja ime është që ky parakusht të plotësohet. Gjithmonë ne shqiptarët kemi një fjalë që shpresa vdes e fundit. Ftesa më shumë është për opozitën e RMV që të mbështesin marrjen në kohë të këtij vendimi”, tha Taulant Balla.

Sinjale pozitive për negociatat pret edhe Gjermania. Raporteri për Ballkanin Perëndimor në Bundestag  Adis Ahmetoviç paralajmëroi angazhimin e vendit të tij për hapjen e negociatave.

“Para tre javësh patëm një konferencë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Kishim një rast historik që t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave, të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe sidomos Shqipërinë për hapin e ardhshme ne  Bashkimin Europian, por ne e humbëm këtë shans historik. Ndaj kjo jave do te jete historike. Dhe ne si qeveri dhe parlament gjerman do të punojmë që javën e ardhshme Shqipëria të mund të nisë negociatat”, tha Adis Ahmetoviç, deputet i Bundestagut.

Në të njëjtën linje zyrtari socialist dhe deputeti i Bundestagut kritikuan Bashkimin Europian për mosliberalizmin e vizave me Kosovën.

Top Channel