Amanti është 9 vjeç dhe ka mbaruar klasën e katërt në shkollën ‘Kosova’, por jo me shumë dëshirë për të ndjekur mësimin në klasë.

“Nuk është se kam shumë interes në klasë sepse më duken shumë të thjeshta. Testet i mbaroj i pari dhe marr rezultatet maksimale”, tha nxënësi Amanti Sulaj.

“I di ato që shpjegohen në klasë dhe shpeshherë më kërkon që të qëndrojë edhe në shtëpi”, shtoi më tej ai.

Prindërit e Amantit kanë vënë re se djali i tyre po humbet interesin për shkollën pasi njohuritë që ai ka tejkalojnë nivelin e klasës ku është.

“Unë dëshiroj të shkoj në klasë të gjashtë, kam punuar vetë me të gjitha librat e klasës së 6”, tha Amanti.

“Pa mbushur moshën 3 vjeç, kur vëllai i tij i madh ishte në klasën e parë dhe kryente veprimet matematikore. Amanti përgjigjej menjëherë dhe përgjigjet i kishte të sakta. Amanti filloi të mësonte autodidact dhe ka progresuar shumë ndër vite… është më i zhvilluar se fëmijët normalisht. Për këtë arsye i kam kërkuar drejtoreshës së shkollës e mësuesja kujdestare kanë miratuar që djali të kalojë një klasë më lart, duke kryer një test por nuk ka një klauzolë ligjore që ta lejojë djalin!”, tha Kapllan Sulaj, babai i djalit.

Top Channel