Një firmë ndërtimi, e cila kishte fituar tenderin 6 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm në Librazhd, nuk i ka kthyer në gjendjen e mëparshme vendet ku ka shtruar tubat.

Megjithëse në specifikimet e tenderit shkruhej se “vendi duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme”, firma la tubat plastikë në qiell të hapur, oborret e pallateve janë lënë me gropa, ndërkohë që pllakat në korridoret nuk janë vënë, por vetëm janë mbushur me beton. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në Librazhd thotë se ende nuk i ka marrë në dorëzim punimet, megjithëse afati i kryerjes së tyre ka përfunduar me kohë. Sipas UKL, fituese e tenderit është firma “Alb Star”, të cilës i është lënë detyrë që t`i rikthejë këto punime sicc ishin. Por, pavarësisht se është hedhur një shumë e tillë, Ujësjellësi i Librazhdit thotë se do të investojë për të “mbushur” gropat e lëna.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Mylazem Tusku, i cili u tregoi gazetarëve të Fiks Fare pallatin e tij në Librazhd. Ai ankohet për cilësinë e punimeve që janë bërë për rehabilitimin e rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm në këtë qytet. Thotë se punimet janë bërë nga firma “Alb Star”.

Punimet janë bërë në vitin 2021, ndërkohë që kam biseduar me inxhinierë, të cilët më kanë thënë se firma kishte marrë përsipër që, nëse prishej një vend, të rikthehej në gjendjen fillestare” thotë Mylazimi. Më tej shton se jo vetëm që nuk janë rikthyer, por edhe tubat plastikë të rrjetit janë lënë në hapësirë, duke sjellë rrezikun që në dimër ky rrjet të ngrijë, pasi Librazhdi ka temperatura të ulëta. Denoncuesi i tregon grupit të Fiks Fare punimet në pallatin ku dhe banon, teksa thotë se defektet fillojnë që nga oborri, i cili ishte shtruar me pllaka. “Tani, thotë ai, është hedhur beton i varfër dhe nuk është shtruar me pllaka”.

Ndërkohë, gazetarët në hyrje, ku tubi i rrjetit nuk është futur në mur, madje as me gips, por është lënë jashtë pa asnjë mbrojtje. Firma ka shtruar tuba edhe në korridoret e pallatit, ku ka shkulur pllaka dhe pas vendosjes se tubave, nuk i ka rivendosur. Por, këtë pjesë e ka shtruar me beton. Sipas qytetarit, firma duhet ta rikthente në gjendjen fillestare. Ai thotë se i gjithë Librazhdi është në këtë gjendje, madje në një pallat nuk kanë bërë rrjet. Fiksi bën një vëzhgim në pallate të tjera, ku konstatojmë të njëjta problematika. Tubat e ujit janë jashtë, madje edhe një mburojë që i kanë vendosur, ka filluar të prishet. Gazetarët shkojnë te pallati që s’kishte linjë, ku duket se firma ia ka çuar në hyrje, por jo në gjithë pallatin.

Fiks Fare bisedon me Drejtorin e Ujësjellës Kanalizime në Librazhd, Agron Gega. Ai tregon se është një investim nga KfW-ja, ku vlera totale është 6 milionë euro. Pohon se ujësjellësi i ka bërë procedurat, ndërsa deri më tani, ky ujësjellës nuk i ka marrë në dorëzim, punimet për shkak të këtyre problematikave. Na tregon se në ato pallate që s’i ka bërë firma, do t’i bëjë Ujësjellësi. Drejtori thotë se firma duhet të rikthente në gjendjen fillestare çdo pllakë apo vend që prishte.

Fiksi bisedon edhe me kryeinxhinieren e Ujësjellësit të Librazhdit, për ta pyetur për vëzhgimin dhe problematikat e banorëve, nëse janë apo jo të drejta. Edhe inxhinierja thotë se punimet s’janë marrë në dorëzim, pasi kanë dalë disa probleme. Sipas saj, UKL ka bërë inspektime dhe ka konstatuar në disa raste prishje të mbrojtëseve të rrjetit të ujësjellësit, ndërkohë që edhe pllakat e pallateve duhet të riktheheshin në gjendjen fillestare. Thotë se kanë njoftuar firmën, një pjesë do ti rregullojë firma.

 

 

 

FOTO GALERI
1/9

Top Channel