Dy të rinjtë të identifikuar si Kristjan Gjini 25 vjeç dhe Franceska Kolgjegja 22 vjeçe janë arrestuar nga policia, pasi mbanin mbanin armë dhe sende të tjera të paligjshme, në ambientet e banesave të tyre në Tiranë.

Në operacionin e koduar “Ruger” u sekuestruan 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete.

Shërbimet e Policisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë ndaluar automjetin me drejtues 25-vjeçarin të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në 2 banesa të ndryshme, të marra me qira në kompleksin rezidencial “Fusha” nga Kristjan Gjini (në njërën prej të cilave jetonte 22-vjeçarja), u gjetën dhe sekuestruan sendet e paligjshme dhe 2 automjetet që përdornin ata.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel