Majori i arrestuar në Holandë përplas Bardhin dhe Bushkën/ Deputeti: Zinxhiri i Ministrisë së Mbrojtjes ka dështuar

12/07/2022 11:54

Arrestimi i Majorit Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitjeje, i cili ishte dërguar për stërvitje në një bazë të NATO-s në Holandë, por ra në pranga nga autoritetet pasi shërbente në një fermë kanabisi solli përplasjen e përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore këtë të martë.

Deputeti demokrat Gazmend Bardhi e komentoi një dështim Shërbimin Informativ Ushtarak.

“Veç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën dhe hiqte veshjen ushtarake ishte i angazhuar në veprimtari kriminale të trafikut të drogës. Zonja kryetare nëse ju nuk e keni ndjekur, duhet të merrni informacione se i bie që i gjithë zinxhiri i Ministrisë së Mbrojtjes ka dështuar”, tha Bardhi.

Ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes u mbrojtën duke thënë se përgjegjësia për ngjarjen është personale e nuk mund të përfaqësohen Forcat e Armatosura me një person të vetëm dhe se do të ndërmerren hapa ligjorë kundër tij.

Bardhi: A ka pasur Ministria e Mbrojtjes informacion për aktivitetin e këtij ushtaraku të lartë? Çfarë veprimesh ka bërë Shërbimi Informativ Ushtarak? A keni informacione të zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë për përfshirje në veprimtari kriminale? Si ndikon kjo në marrëdhëniet tona me NATO-n? A është cenuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar dhe pastaj mund të dalim se çfarë veprimesh do bëjë policia e reformuar ushtarake që ju po ngrini kur ai të kthehet në atdhe?

Bushka: I paskeni lexuar të gjitha gazetat zoti Bardhi. Rendi i ditës është në diskutimin e ligjit për policinë ushtarake dhe kjo çfarë lidhje ka me këtë zoti Bardhi.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Mbrojtjes: Forcat e Armatosura nuk mund të përfaqësohen me një person të vetëm, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore dhe përgjegjësia është personale.

Gazmend Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri.

Klotilda Bushka: S’kemi pse diskutojmë çështje që si përkasin rendit të ditës.

Pandeli Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë.

Kujtojmë se Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar ndryshimet në disa projektligje, midis tyre edhe atë “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA