Një status shfryrjeje mërzie i Briken Çaljes në rrjetet sociale ka zbuluar një problematikë për kampionin e botë i cili më pas është përballur edhe me reagimin e ministres së sportit për çështjen e shpërblimeve të tij që nga institucioni janë lëvruar prej kohësh, duke hapur një debat jo të vogël.

Në një deklaratë për Top Channel, peshëngritësi nga Shtërmeni tregon se gjithçka filloi pas reagimit të federatës së peshëngritjes, e cila në statusin e saj në rrjetet sociale iu referua vonesës së shpërblimit që vetë Çalja kishte nënkuptuar por jo përmendur publikisht.

“Federata zgjodhi një rrugë tjetër që publikoi të gjitha dokumentet, dhe është shumë e qartë se dokumentet thonë që me 20 prill, që është urdhri I parë, pasi pagesat janë bërë me dy urdhra dhe mungon urdhri i dytë. Kjo çështje duhet të ishte mbyllur mes meje dhe federatës jo në publik”.

Ndërkohë për çështjen e shpërndarjes së shpërblimeve vetë presidenti i saj Elez Gjoza sqaron:

“Brenda muajit qershor  ministria e arsimit pas vendimit të këshillit të ministrave, i ka kaluar në thesarë të gjitha shpërblimet në llogari të federatës shqiptare të peshëngritjes dhe federate ka mundur të bëjë të gjitha pagesat e shpërblimeve, duke filluar nga Evangjeli Veli, Erkand Qerimaj, Krenar Shoraj, së bashku me trajnerët e tyre, Samuel Bishanaku së bashku trajnerin e Samuelit njëkohësisht edhe Briken Çalja”.

“Kjo është ajo që më bën çudi që duket sikur unë i kam marrë paratë, por realisht deri në momentin që flasim unë nuk jam paguar dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”, thotë Çalja.

Megjithatë vërtetë me sa duket pagesa e shpërblimit të Briken Caljes ka pasur një ngërç.

“Çështja e ka limit të parave nuk është e federatës por është e thesarit ne sot kemi mësuar se për shuma të mëdha si shpërblimi i Brikenit që shkon në rreth 180 milion lekësh duhet shoqëruar me një dokumentacion me urdhra jo të sekretarit të përgjithshëm, por bashkë me urdhrin e tij duhej shoqëruar me urdhrin e ministres që ne e disponojmë”, shprehet Gjoza.

Sipas dokumentacioni të që na vë në dispozicion federata shqiptare e peshëngritjes pagesat ndaj Çaljes janë bërë fillimisht më 7 korrik dhe ribërë ditën e martë më 12 korrik për mungesë dokumentacioni.

Top Channel