Vjedhje nafte në mjetin për rindërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës/ Gjykata e Tiranës lë në burg Julian Subashin dhe Petrit Kodrën

11/07/2022 11:31

Gjykata e Tiranës vendosi të lejë në burg Julian Subashin dhe Petrit Kodrën, të akuzuar për vjedhje nafte në një ekskavator të parkuar që shërbente për rindërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha arriti të siguronte detaje nga dosja,  ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë vjedhur naftën dhe e kanë shitur.

Më datë 08.07.2022, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Vorë, shtetasi Albert Vladi, përgjegjës i një kantieri pranë një kompanie private, e cila është nënkontraktore për rindërtimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës.

Vladi ka kallëzuar se për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, janë të angazhuara një numër i madh mjetesh motorike, të shpërndara në  të gjithë gjatësinë e linjës. Për këtë arsye në disa raste, pas mbarimit të punës, një pjesë e këtyre mjeteve për shkak të madhësisë së tyre dhe kostove të larta për t’i lëvizur dhe mbajtur të parkuara në kantier, parkohen pranë vendit të punës.

Në orët e para të mëngjesit, në një mjet motorik eskavator “Volvo 380′, që ka qenë i parkuar në fshatin Sakosë të Bashkisë Vorë, në një rrugë lidhëse të autostradës Tiranë-Durrës është vjedhur një sasi prej 172 litra nafte.

Thuajse të gjitha mjetet motorike janë të pajisura me një GPS në serbrator, të cilat masin sasinë e naftës në kohë reale. Kur filluan punën, ai ka konstatuar se GPS i ekskavatorit të lartpërmendur tregonte një sasi prej 82 litrash në serbrator, në një kohë që kur ka mbyllur punën dhe është parkuar, ka pasur në serbrator një sasi prej 254 litrash.

Pra, kishte një mungesë prej 172 litra naftë. Vladi ka hapur GPS dhe ka konstatuar se në orën 03:19 minuta të mëngjesit ka nisur rënia e nivelit të naftës  në serbrator. Kjo gjë ka zgjatur për rreth 30 minuta deri në orën 03:49, ku ka mbetur në sasinë 82 litra. Pra vjedhja e naftës ka ndodhur nga ora 03:19 deri në orën 03:49.

Gjithashtu konstatoi se tapa e serbatorit ishte e prishur, dëmtuar, dhe në tokë shikohej mbetje nafte. Ekskavatori ka qenë i parkuar në një rrugë lidhëse të autostradës me hekurudhën.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se autor i ngjarjes është shtetasi Julian Subashi, i cili më pas këtë sasi nafte, ia ka shitur shtetasit Petrit Kodra, i cili ka qenë në dijeni se kjo naftë është e vjedhur.

Julian Subashi është pyetur dhe ka deklaruar se punon si lavazhier tek lavazhi i shtetasit B. D. në Maminas. Në darkë ai ka qenë në shtëpi deri nga ora 22:30 dhe më pas ka dalë dhe ka shkuar tek kafja në autostradë, të cilën e ka rreth 7-8 minuta larg me biçikletë. Aty ka takuar shtetasin qe punon aty J. K. që është punëtor në karburantin privat aty pranë, kamerierin G. K. dhe Petrit Kodra që është shitës nafte në karburant.

Ka ndenjur me këta shtetas pasi i njeh meqë janë nga Sakosa ku Petriti me J. K. janë vëllezër.

Sipas dëshmisë së tij, ai ka pirë konjak deri nga ora 02:30 e mëngjesit. Gjatë kësaj kohe, në një moment ai me Petritin janë larguar dhe kanë shkuar tek një rrugicë qe lidh fshatin Sakosë me autostradën. Aty panë një eskavator të parkuar dhe nuk kishte roje. Bashkë me Petritin, vendosën të merrnin naftën e ekskavatorit dhe shkuan të gjenin dy bidona 10 litërsh dhe pasi i gjeten tek disa mbeturina, shkuan sërish tek ekskavatori, hapën kapakun e serbratorit dhe morën 20 litra nafte, nëpërmjet një zorre që futën në serbrator. Këtë naftë e mori Petriti për makinën e tij pasi Juliani nuk ka makinë.

Pas kësaj, Juliani ka shkuar tek karburanti sërish dhe pasi lau duart, mori biçikletën dhe iku për në shtëpi. Ai pretendon se këtë veprim e ka bërë në gjendje të dehur.

Është pyetur shtetasi Petrit Kodra që ka deklaruar se punon tek një karburant në Sakosë. Mbrëmjen e datës 07.07.2022, ka qenë në shtëpi deri nga ora 21.00 dhe më pas ka shkuar tek karburanti ku punon, për të pirë kafe.

Kjo pasi shkon shpesh aty dhe dje ka qenë në pune vëllai Juliani. Kur shkoi aty, ndenji me vëllanë, djalin e xhaxhait G. K. që edhe ai ishte në pune aty si dhe shtetasin Julian Subashi, të cilin e ka gjetur aty. Ka pirë vetëm kafe dhe nga ora 23.00, shtetasi Julian Subashi, i cili po pinte konjak, i tha se po shikonte një fadromë që është e parkuar në cep të karburantit dhe do i hiqte naftën.

Petriti thotë se i ka thënë ta lejë këtë  punë se do i çonte në burg se punonin aty, por Subashi i ka thënë se do shkonte ta hapte dhe ta provonte t’i hiqte naftën, pasi ia kishte hapur kapakun e serbratorit që më parë. Pas këtij komunikimi, Kodra ka marrë makinën dhe ka shkuar në shtëpi rreth orës 12 të natës dhe është shtrirë për gjumë.

Nga ora 04.00, e ka marrë në telefon Julian Subashi dhe i tha të shkonte se kishte bërë gati pesë bidona me naftë. Petritit i shkoi mendja qe kishte marrë naftën e serbratorit dhe e pyeti se si ia hoqi naftën dhe ai i tha “hajde se me duhen lekë”.

Petriti ka dalë nga shtëpia, ka marrë makinën tip Mercedes-Benz të punës me targa AB 107 EP dhe ka shkuar dhe është takuar me Subashin. Subashi kishte mbushur pesë bidona 30 litërsh dhe këtë naftë e mori Petriti dhe më pas iku në shtëpi ndërsa Subashi është kthyer tek karburanti tek kafja.

Ai pohon se ka blerë 150 litra naftë për një çmim prej 30.000 leke në total, të cilën e ka shitur tek njerëz të ndryshëm. Ai pranon se e dinte që Subashi e kishte vjedhur këtë naftë.

Nga policia është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Petrit Kodra dhe në tokën në afërsi të banesës, u gjeten disa bidonë plastike që vinin aromë nafte brenda, por të boshatisur.

 

Top Channel