Tirana mikpret në fund të korrikut Parlamentin Frankofon të Rinisë, Veliaj: Mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer eksperienca

10/07/2022 15:21

Tirana do të mikpresë në fund të korrikut, Parlamentin Frankofon të Rinisë. Lajmin e mirë e dha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë që po mbahet në Kigali, Ruanda.

“Është një kënaqësi e veçantë që Tirana do të mikpresë në fund të korrikut, Parlamentin Frankofon të Rinisë – një rast i veçantë, sidomos kur Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ky vendim u mor në Kigali, një vizitë 24-orëshe, e cila ishte emocionuese edhe per mua personalisht. Këtu kam jetuar para 20 vitesh dhe pashe se si çdo komb mund të ndryshojë”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se secili prej kombeve, edhe ata që kanë kaluar historitë më të vështira mund të modernizohen dhe të ecin përpara. “Imagjinoni ç’mund të bëjë Tirana dhe Shqipëria jonë! Jam shumë entuziast që të rinjtë, çunat e gocat tanë në Tiranë, do të kenë një mundësi të jashtëzakonshme, që të shkëmbejnë eksperienca me të rinjtë frankofonë nga dhjetëra vende të botës dhe më vjen mirë që për pak ditë, për një javë, Tirana do të jetë kryeqyteti evropian edhe i frankofonisë, dhe besoj shumë që do krijohen lidhje që do të zgjasin sa një jetë”, theksoi Veliaj.

Ky takim vjetor i Frankofonisë Parlamentare bëri bashkë rreth 300 deputetë dhe senatorë, për të debatuar dhe miratuar qëndrime të përbashkëta për çështje të ndryshme.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel