Faik Tahiri është një zotëri 64-vjeçar me profesion Inxhinier Elektrik. Ka mbi 30 vjet që punon, pa bërë asnjë ditë pushimi në punishten e tij, në zemër të Tiranës.

“Punoj që në moshën 14-vjeçare. E nisa në Fabrikën e Qelqit në Kombinatin Tekstil. Pra që nga ajo kohë, kam gjysmë shekulli që punoj. Punova 9 vjet në fabrikë dhe arrita kategorinë e 7 Mjeshtër. Pastaj punova rreth 9 vjet në tregun e fruta-perimeve, bashkë me gruan, deri në vitet ’90. Erdhi demokracia dhe punojmë privat. Shkollën e mesme dhe të lartën si inxhinier Elektrik, i kam bërë natën, pasi edhe punoja edhe studioja. Si inxhinier nuk punova dot asnjë ditë, pasi nuk iu përgjigja thirrjes së partisë, që të shkoja në hidrocentralin e Komanit.

Nuk kam ndërmend të dal në pension. Unë pension nuk pres prej këtyre, se këta 200 mijë lekë pension të japin. Unë shyqyr që kam krahët dhe gëzoj shëndet të mire, që i nxjerr 5 lekë vetë. Po të më marrësh tani e të më thuash që do të jap pension 500 mijë lekë në muaj dhe mos puno më, unë nuk e pranoj. Zëre se mua më ke pushkatuar. Dal që në orën 6 nga shtëpia. Në Shqipëri puna e ustait nuk paguhet siç duhet. Unë kam punuar edhe jashtë, kam punuar 6 muaj në Gjermani me vizë pune.

Të  betohem, që e lashë gojëhapur gjermanin dhe gjermani mua më la gojëhapur. Më paguante shumë mirë, lekë sa të duash. Merrja të paktën 200 euro në ditë. U ktheva, se kisha fëmijët. Nuk rrihet jashtë pa familjen, është e pamundur. 40 vjeç të isha tani, e di unë se çfarë bëja. Do ikja me vrap në Gjermani. Të rinjtë për mua, të ikin një orë e më parë, se këtu nuk kanë perspektivë. Shteti nuk të ndihmon. Hap një biznes, ai nuk të jep një do të. Bota jashtë të mban 6 muaj në provë, pa licencë, nuk paguan detyrime.  Nuk dha rezultat, s’mban asnjë tatim. Kurse këta nuk të japin asnjë lloj stimuli.

Pushime nuk bëj, punoj non stop gjithë javën. Asnjë ditë të diele, e madje kam nga viti 1990 e deri më sot, që nuk kam bërë asnjë ditë plazh”, tha Faik Tahiri, Usta dhe Inxhinier Elektrik.

Top Channel