Besimtarët Myslimanë anembanë botës festojnë ditën e sotme festën e Kurban Bajramit, e cila njihet edhe si festa e sakrificë.

Qytetarët në të gjithë qytetet e vendit falën Namazin në orën 06:05. Në Tiranë falja u bë në sheshin Skënderbej, ku qytetarët ishin të shumtë në numër.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bajram Spahiu, gjatë fjalës së  tij përmendi disa çështje aktuale për shoqërinë shqiptare, një ndër të cilat është edhe varfëria.

Kjo festë simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me Zotin.

Edhe në qytetin e Bulqizës besimtarët myslimanë kanë falur namazin në orën 06:05 të mëngjesit. Falja u bë në xhaminë e qytetit, ku ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë.

Qindra besimtarë myslimanë në Lushnjë kanë marrë pjesë mëngjesin e sotëm në faljen e namazit të Kurban Bajramit. Sheshi qendror i Lushnjës para bashkisë është bërë pritësi i këtyre besimtarëve në ditën më të mirë të festës së altruizmit dhe të sakrificës në emër të zotit. Faljen e drejtoi imami i xhamisë së Lushnjës Alban Kasa.

Në fund të faljes myftiu i xhamisë Lushnjë Gramos Blliku mbajti fjalën e rastit ku kërkoi nga besimtarët që të vazhdojnë në rrugën e zotit çdo ditë të jetës së tyre me mësimet e Kuranit të Shenjtë.

Edhe në Elbasan qytetarët myslimanë kanë falur namazin në mëngjes në sheshin e qytetit. Dhjetëra besimtarë myslimanë ishin të pranishëm gjatë faljes, ku më pas u hspërndanë për të festuar me të afërmit e tyre.

Besimtarët myslimanë në Fier falën sot namazin e Kurban Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve.

Namazi u fal në mëngjes herët ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njeri-tjetrit e sidomos për më shumë besim duke konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.
Myftiu i Fierit uroi të gjithë besimtarët myslimanë dhe gjithë komunitetin për paqe begati dhe gëzime në jetën e çdonjërit.

Kjo e shtune është dita më e shenjtë për besimtarët myslimanë, të cilët kremtojnë sot Kurban Bajramin. Ceremonia e faljes së Kurban Bajramit në Vlorë nisi herët në mëngjes. Qindra besimtarë myslimanë falën namazin në sheshin para xhamisë së Plumbit. Kreu i Myftinisë së rrethit Vlorë,Armand Asllani , në fjalën e tij theksoi dhe kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

Dhjetëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit në xhaminë e qytetit të Lezhës. Pas faljes së namazit në xhami, besimtarët u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.

Top Channel