Sekuestrohet pallati në Vlorë/ Prokuroria: Janë falsifikuar dokumentet dhe dyshohet për shkatërrim prone

08/07/2022 10:48

Një pallat tetë katësh është sekuestruar në Vlorë, pasi dyshohet se objekti është ndërtuar me dokumente të falsifikuara dhe pastrim parash.

Objekti në rrugën “Gjergj Araniti”, lagjja “Pavarësia” është është në pronësi të Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj, të cilët janë shpallur në kërkim.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se janë dy prona truall, një prej të cilave është përfituar me dokumente të falsifikuara. Nga prokuroria, konfirmohet se deri në përfundim të hetimeve është vendosur sekuestro preventive për pallatin që është në ndërtim.

Gjithçka nisi pas një denoncimi të një të afërmi të vëllezërve Muskaj, i cili njoftoi autoritetet shtetërore se njëri nga vëllezërit Muskaj ka falsifikuar dokumentet. Pallati është ndërtuar mbi pronën e vëllezërve Hito Muskaj dhe Viktor Muskaj të cilët pasi kanë rënë dakord me ndërtuesit Bektash Petoshati, ja kanë dhënë truallin në pronësi pas një marrëveshje kontratuale. Ata kishin rreth 400 metra truall, që e kishin legalizuar. Në këtë situatë ndërtuesi thotë se kur është bërë marrëveshja për ndërtimin e pallatit,  dokumentacioni ka qenë i rregullt.

Bektash Petoshati thotë se ka një leje të rregullt dhe se falsifikimi i dokumenteve është bërë rreth 20 vite më parë nga dy pronarët.

“Unë nuk kisha asnjë dijeni. Më njoftoi policia që ka një urdhër sekuestro të objektit ku unë po ndërtoj. U njoha me urdhrin e prokurorit.

Unë jam ndërtuesi, jam dhe investitor në masën 80%. Ndërtimi ka gati 11 muaj që ka filluar dhe tani ishim në fazën kryesore. Objekti është i shitur totalisht. Të gjithë personat që kanë kontratë prenotimi goditen, shteti goditet, punëtorët që punojnë këtu goditen. Të gjitha këto nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarja.

Verifikimet janë kryer të gjitha, nga kadastra ka dalë që certifikata është e rregullt, problemi është me një falsifikim të kryer 20 vite më parë.

Unë kisha dëgjuar, palën tjetër që pretendon për objektin e kam kontaktuar disa herë. Personave që kanë kontratën me mua, u kam thënë ta zgjidhin këtë problem. Është një veprim që mua nuk më përket, nuk ka lidhje fare me mua.

Këtu janë dy pronarë. Prona e dytë që është një ndërtesë 37.5 metra katrorë, pretendohet që është një dokument i falsifikuar, unë nuk e di. Për mendimin tim, vendimi që ka marrë gjyqtarja është i padrejtë, veprimi nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me pronarët e tokës. Pjesa e pronarëve të tokës le të bllokohet”.

Tashmë kjo çështje do të zgjidhet në gjykatë ku dhe do të  zbulohet se e kujt është prona mbi të cilën është ndërtuar pallati. Nëse vëllezërit Muskaj janë të vetmit pronar të truallit apo ka dhe pronarë të tjerë, dhe cilët janë personat që kanë falsifikuar dokumentet për këtë pronë truall.

Top Channel