50.000 lekë varri në Tufinë/ Burrë e grua donin të blinin vendin, punonjësi: Do zhvarros kufomat dhe do vendos emrin tuaj…

08/07/2022 14:05

Hetimet disa mujore zbuluan disa ditë më parë skandalin në varrezat e Tufinës, ku qytetarët kundrejt pagesës që u bënin punonjësve, blinin vende për varr.

Në dosjen hetimore për këtë çështje, janë disa nga dëshmitë e qytetarëve që janë përfshirë në skemën e blerjes së varreve.

M.S, ka treguar në polici se para tre vitesh ka kërkuar të ketë dy varre në Tufinë, një për vete dhe një për bashkëshortin.

Në shtator të vitit 2019, ajo është takuar me një burrë, të identifikuar si Bujar dhe që punonte shofer te varrezat e Tufinës. Bujari i ka treguar gruas se njeh një përgjegjës varrezash që mund t’i ndihmojë për të gjetur vendet, që në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, identifikohet me emrin Andi.

Andi i ka treguar çiftit për dy varre, brenda të cilëve preheshin dy trupa. Por, në këmbim të 50 mijë lekëve, ai ishte i gatshëm të zhvarroste kufomat, t’i fuste në vendet murale dhe në vend të tyre, të shkruante në varre emrat e M.S. dhe burrit të saj.

M., siç ka deklaruar vetë, iu deshën disa muaj, derisa në dhjetor, pasi grumbulloi shpërblimin e fundvitit dhe disa kursime, pagoi shumën prej 50.000 lekë.

Hetimet kanë vënë në pranga Eljodor Ndini, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës dhe Xhemal Mena, Latif Shehu, Gazment Daja punonjës të Sektorit të Varrezave Tufinë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Bujar Lica, Alban Ajazi dhe Endrin Milla akuzohen për  Ushtrim i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe Fatjon Gjonaj për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë të rinj, duke shpërdoruar detyrën, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.

Top Channel