“Fiks Fare” faktoi me zë, figurë dhe dokumente, falsifikimin dhe tjetërsimin e mijëra metrave katrorë truall dhe godinë në Malin e Moravës në Korçë.
Resorti “Montrelux”, të cilin e përuruan edhe disa ministra, ishte ndërtuar pa leje, në zonën më të bukur të Korçës.
Madje, godina fillestare ishte dhjetëfishuar. Pas denoncimeve të njëpasnjëshme të emisionit “Fiks Fare”, Prokuroria e Korçës dhe Tiranës hapën procedime penale. Nën akuzë u vunë biznesmenë, noterë, punonjës të kadastrës, etj.
Por, a u hetuan dhe gjykuan personat përgjegjës? Janë bërë një mori veprimesh hetimore, dosje voluminoze me fashikuj të tërë, dëshmish, sekuestrime dokumentesh, ekspertime apo edhe këqyrje. Por, pavarësisht se të gjithë faktojnë se është ndërtuar pa leje për qëllime fitimi, është falsifikuar për të shtënë pasurinë e tjetërkujt, janë përdorur dokumente false, janë prerë pyjet, sërish askush nuk mban përgjegjësi! Institucionet e drejtësisë kanë filluar “lojën” që të shpëtojnë biznesmenë, noterë, punonjës të Kadastrës, të IMT-së, IKMT-së apo gjithkush që ka pasur dijeni për këto ndërtime pa leje, në zonën turistike të Korçës.
Pranoi dokument fals, ping-pong me noteren Margena Çela
Në datën 12 prill 2021, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim noteren Margena Çela, me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Në akt-akuzë shkruhet tepër qartë; “Noterja ka falsifikuar, apo ka lejuar, të bëhej një deklaratë noteriale pa nënshkrimin e lëshuesit të kësaj deklarate, pra e falsifikuar”.
Vepra, penale shkruan akuza, është kryer me dashje! Prokuroria ka faktuar se noterja Margena Çela ka qenë në dijeni të disa veprimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, por vetëm në emrin e njërit prej bashkëortakëve. Për këto dyshime, prokuroria urdhëroi kryerjen e ekspertimit grafik, nga ku rezultoi; “Shkrimi, emër mbiemër, S.Bajraktari, nuk është shkruar dhe nënshkruar nga S.Bajraktari”. Pas konstatimit të këtyre fakteve, prokuroria mori të pandehur dhe dërgoi në gjykatë noteren Margena Çela.
Ndërkohë, me një vendim të dyshimtë dhe pa praninë e “viktimave”, gjyqtari Bedri Qori pushoi akuzën ndaj noteres Margena Çela. Madje, pa bërë një gjykim, por vetëm në seancë paraprake. Në datën 3 dhjetor 2021, gjyqtari Bedri Qori ka dhënë vendimin me numër 1250; “Nga shqyrtimi i akteve të hetimeve paraprake, rezulton se nuk egziston dokument i falsifikuar dhe për këtë arsye gjykata çmon se duhet vendosur pushimi i procedimit penal”.
Në këtë vendim, gjyqtari Qori, nuk ka analizuar nënshkrimet false apo edhe pasaportën që është përdorur në këtë deklaratë, që ka qenë me datë të skaduar. Madje, aktet janë dërguar për kryerjen e ekspertimit tekniko – grafik. Ekspertët kriminalistë, Vjolxhin Kuka dhe Durim Çako, kanë dalë në konkluzionin se “deklarata është e falsifikuar”.
Madje, në vendim, gjyqtari Bedri Qori e ka bazuar vendimmarrjen e tij nç akte/dokumente që nuk janë pjesë e dosjes hetimore që prokuroria ka dërguar në gjykim. Ai ka pranuar kërkesën e mbrojtjes, duke analizuar një provë që nuk ishte sjellë në gjykim nga Prokuroria e Tiranës, por ishte kërkuar në një tjetër procedim penal nga Prokuroria e Korçës. Në fund, vendosi pushimin e akuzës ndaj noteres, po i bërë gjyqin! Pas këtij vendimi, Prokuroria e Tiranës, iu drejtua Gjykatës së Apelit, duke i shkruar se;
“Gjyqtari i seancës paraprake ka tejkaluar pozicionin e tij procedurial, duke zhvilluar një gjyq themeli. Gjyqtari i seancës paraprake ka shkelur parimin e mjaftueshmërisë së provave për dërgimin e çështjes në gjyq. Gjyqtari, duke pushuar çështjen penale, me arsyetimin se e pandehura nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, është shprehur mbi fajësinë e të pandehurës. Gjyqtari i seancës Paraprake duke u shprehur mbi fajësinë e të pandehurës ka marrë atributet e gjykatës së themelit”.
Çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi që të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Bedri Qori, duke urdhëruar që çështja të rihetohet! Duke faktuar se gjyqtari Qori, pavarësisht se ishte gjyqtar paraprak, mori atributet e gjyqtarit të themelit. Madje, futi prova që nuk ishin paraqitur nga prokuroria e Tiranës.
Gjykata e Korçës “fshehu” dënimin e parë të Arben Relit
Ndërkohë, paralelisht me hetimet dhe gjykimet në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, 165 kilometra më larg, në Prokurorinë dhe Gjykatën e Korçës, u zhvilluan hetime dhe gjykime për akuzën ndërtim pa leje për biznesmenin Arben Reli.
Sipas një dokumenti të datës 23 dhjetor 2021, drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori, ka përfunduar hetimet për dosjen 664 të tjetërsimit të “Morava Resort” në “Montrelux”. Procedimi penal filloi pas investigimit të emisionit “Fiks Fare, në “Top Channel”. Në akt-akuzë, shkruhet se janë faktuar dy akuza: ndërtim pa leje dhe prerje pyjesh. Ndërkohë, vijojnë hetimet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre!
“Nga aktet e administruara në materialin kallëzues rezulton se në datën 8 korrik 2020, tek televizioni kombëtar ‘Top Channel’, emisioni investigativ ‘Fiks Fare’ është publikuar një rast abuzimi sipas tyre në ngarkim të shtetasit Arben Reli, ndërtues i cili ka ndërtuar tek kompleksi ‘Morava’ apo ‘Montrelux’ shtesa pa leje përkatëse. Pas marrjes dijeni për këtë rast, nga ana e organit të akuzës janë kryer një sërë veprimesh paraprake hetimore. “Kështu, pasi u shkua tek kompleksi ‘Morava’ apo ‘Montrelux’ është dokumentuar këqyrja e vendit objekt hetimi. Nga këqyrja rezulton se në të ka pasur punime të freskëta ndërtimore, shtesa, magazinë vendosje impiant gazi, prerje të pishave dhe sipër tyre hedhje betoni” thuhet në akt-akuzë. Organi i prokurorisç shkruan se u konstatua edhe hapje rrugësh si edhe mur në distancë të konsiderueshme. “Në këtë vend janë konstatuar edhe skela metalike, të cilat janë vendosur për të punuar, skara hekuri etj” vijon akuza.
Hetimet e Prokurorisë së Korçës janë ndalur te emri përgjegjës, biznesmeni Arben Reli! Ai është marrë i pandehur dhe i janë komunikuar dy akuza “ndërtim pa leje” dhe “prerje e paligjshme e pyjeve”. Por, ja se çfarë parashikon akuza e parë, ajo e ndërtimit pa leje, neni 199/a i Kodit Penal, në pikën 3: Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Sipas dosjes, akuza e dytë që rëndon ndaj Arben Relit është “prerja e paligjshme e pyjeve, akuzë e cila parashikon një dënim deri në 1 vit burg.
Çështja shkoi në Gjykatën e Korçës. Në datën 19 prill 2022, gjyqtari Seladin Pasqyli, pas disa seancash ku nuk legjitimoi si viktimë bashkëortakun tjetër të “Morava Resort” S.Bajraktari, dënoi biznesmenin Arben Reli me 1 vit burg për ndërtim pa leje. Por, këtë dënim ia konvertoi në 200 orë “punë publike”. ‘Fiks Fare’ siguroi vendimin e plotë të gjyqtarit ende të pavetinguar Seladin Pasqyli, ku në faqen 5 thuhet se procedimi ka filluar pasi në datën 8 korrik 2020 televizioni kombëtar “Top Channel”, në emisionin investigativ Fiks Fare është publikuar një rast abuzimi nga Arben Reli, i cili kishte ndërtuar te kompleksi Morava apo Montrelux shtesa pa leje.
“Nga këqyrja ka rezultuar se ka pasur punime të freskëta ndërtimore, shtesa, magazinë, vendosje impiant gazi, prerje të dy pishave dhe sipër tyre hedhje betoni, hapje rrugësh si edhe mr në distancë të konsiderueshme, skela metalike të vendosura për të punuar, skara hekuri, etj” thuhet nç vendim. Më tej shkruhet se është dhënë një leje për vendosje tënde, por jo për mure, tulla, beton dhe llaç. Por, më e çuditshmja është se as punonjësit e Bashkisë së Korçës dhe as punonjësit e IKMT-së, drejtoria rajonale në Korçë, nuk ka kryer inspektime në atë subjekt. Kreu i IKMT-së së Korçës, Enver Shahinasi, ka deklaruar se “për shkak të ngarkesës në punë dhe mos plotësimin me organikë nuk kanë mundur dot të kryejnë asnjë konroll”. Në vendim thuhet se janë marrë të dhënat pranë QKB-së, nga të cilat ka rezultuar se Arben Reli ka krijuar në 2020 një biznes në emër të tij, duke e quajtur “Montrelux”, por nga verifikimi ka rezultuar se është i njëjti kompleks me “Morava Resort”.
Në faqen 8 të vendimit thuhet se; “Bazuar në deklaratat paraprake për kryerje punimesh, të miratuara me vendimet e Bashkisë Korçë, i pandehuri ka vijuar kryerjen e punimee si më sipër, por nuk i është përmbajtur deklaratave paraprake. Po kështu ai ka ndërtuar një mur rrethues dhe një platformë betoni, të rrethuar me mur, në të cilën ka vendosur një depozitë gazi që furnizon impiantin e ngrohjes në resort. Gjatë kryerjes së punimeve, punonjësit e IKMT dhe Bashkia Korçë, nuk kanë bërë asnjë kontroll të punimeve”.
Gjyqtari Pisqyli shkruan se bëhet fjalë vetëm për një ndërtim pa leje “platformë për vendosjen e bombolave të gazit”. Në këtë vendim thuhet se është kontraktuar një ekspert, i cili ka dalë në konkluzionin se ndërtimi i murit rrethues dhe i platformës prej 58 metra katrorësh duhet të kishte leje ndërtimi. Në fund, gjyqtari shkruan se;
“Gjykata arrin në këtë përfundim, pasi jemi para një ndërtimi të kryer në tokë shtetërore, nga i cili nuk ka ardhur ndonjë pasojë e rëndë dhe prokuroria nuk i është referuar ndonjë pasoje. Ndërtimi është bërë me qëllim vendosjen e depozitës së gazit, e cila furnizon impiantin e ngrohjes së resortit, në të cilin i pandehuri ushtron aktivitetin tregtar. Rezulton se kjo depozitë gazi ka qenë e instaluar që kur i pandehuri kishte filluar ushtrimin e aktivitetin, por nuk plotësonte kushtet e sigurimit teknik. Nisur nga ky fakt, me qëllim marrjen e masave të sigurimit teknik, për shkak të rrezikshmërisë së paraqiste, depozita e gazit, i pandehuri ka ndërtuar një platformë betoni të rrethuar me mur dhe në të ka vendosur depozitën e gazit. Nuk mund të vlerësohet që platforma për vendosjen e depozitës së gazit është ndërtuar me qëllim fitimi”.
Pra, të gjitha ato ndërtime që konstatoi emisioni “Fiks Fare” u fshehën nga organet e drejtësisë. Madje, edhe ndërtimet e dhomave të hotelit, siç i deklaruan edhe vetë pronarët e “Montrelux”. Në fund të vendimit, gjyqtari Pisqyli vendosi ta dënojë biznesmenin Arben Reli me 1 vit e 6 muaj burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar e dënoi me 1 vit burg. Në fund, këtë dënim ia konvertoi në 200 orë punë në interes publike. Por, në asnjë rast, si Prokuroria apo Gjykata e Korçës nuk janë kujtuar se Arben Reli ka qenë i dënuar më parë. Madje, për të njëjta akuza, çka do t’i rëndonte masën e dënimit. Në vendim, gjyqtari Pisqyli shkruan se është “i padënuar”. Ky konstatim i gabuar i gjyqtarit dhe i prokurorisë ka sjellë që Reli të dënohet vetëm me “punë vullnetare”.
Fiks Fare, i dërgoi një kërkesë për informacion Shërbimit të Provës, për ta pyetur nëse z.Arben Reli ka qenë apo jo i dënuar. Dhe, a ka bërë Shërbim Prove dhe nëse po me çfarë akuze? Pas disa ditësh, ky shërbim na ktheu përgjigje se: “Pranë Shërbimit të Provës, në datë 8 prill 2021, është marrë në zbatim urdhri i ekzekutimit për vendimin e Gjykatës së Tiranës në ngarkim të Arben Relit. Në këtë vendim, ai është dënuar për vetëgjyqësi dhe falsifikim dokumentesh, duke u dënua me 9 muaj burg. Por, me gjykim të shkurtuar ai u dënua 6 muaj burg, ndërsa ky vendim iu konvertua për ta vënë në provë për një periudhë 12 mujore”.
Pra, ka qenë i dënuar! Por, gjyqtari Pisqyli e ka “fshehur”. Madje, shkruan e zeza në të bardhë se “fakti që i pandehuri është i padënuar…”. Në vendimin e arsyetuar, gjyqtari është ndalur vetëm te vendosja e depozitës së gazit, apo murit. Por, pamjet e transmetuara në Fiks Fare tregojnë të kundërtën. Bëhet fjalë për ndërtime dhoma hoteli. Ndërkohë, pas vendimit të gjyqtarit Pisqyli, redaksia e emisionit “Fiks Fare” ka siguruar disa video nga brenda ambienteve që po ndërtohen. Bëhet fjalë për ndërtime të dhjetëra dhomave. Pikërisht, në atë vend që gjykata thotë se “është depozitë gazi”. Tani, “gënjejnë” pamjet nga të gjitha anët, madje edhe nga brenda, apo “dokumentet” e administruara nga gjykata?
Top Channel