Kriza e fortë e çmimeve ka bërë që Banka e Shqipërisë të rrisë sërish normën bazë të interesit në 1.25%, nga 1 % që ishte për të ruajtur stabilitetin e tyre në vend.
Guvernatori i bankës qendrore Gent Sejko tha se pasojat e luftës në Ukrainë janë materializuar tashmë me rritje të inflacionit i cili sipas tij do të kulmojë në tremujorin e tretë të vitit, duke ngadalësuar ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare.
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nivelet e larta të e presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, në respektim të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi: Të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%; të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.”
Kjo është hera e dytë që banka qendrore ndërhyn për të zbutur presionet e rritjes së çmimeve përmes politikës monetare. Inflacioni që aktualisht është 6.7%, pritet të kthehet në objektivin e bankës qendrore në gjysmën e parë të vitit 2024.
Top Channel