Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story”, ka treguar se Partia Socialiste në fillim shihej nga SHBA-të si një trashëgimi e partisë së Punës. Ai tha se gjithçka ndryshoi pas burgosjes së Fatos Nanos, gjë e cila ishte një akt politik.
Pas 93, Milo tregon se SHBA filloi të shikonte me sy kritik administratën e presidentit Berisha, me të cilin u “ftohën” marrëdhëniet pas zgjedhjeve të 96′, kur Berisha refuzoi të priste zëvëndës-sekretarin amerikan të shtetit.
Paskal Milo: Në vitet 91-93, PS-ja shihej me dyshim nga SHBA-ja, shihej si trashëgimtare e Partisë së Punës. Unë atëherë kam qenë afër dhe e shikoja vlerësimin që bëhej nga individë politikë të SHBA. Pas 93, pas burgosjes së Fatos Nanos, aty filloi kthesa sepse u pa fare qartë që burgosja e Nanos ishte një akt politik. Nuk ishte një akt që duhej gjykuar nga drejtësia, por ishte një akt i pastër politik. SHBA filloi të shikojë që nga ky moment me shumë kujdes administratën e presidentit Berisha. Elementët kritik u shtuan edhe pas heqjes së Zef Brozit si kryetar i Gjykatës së Lartë dhe këtu u shfaqën rezerva. Vijmë pastaj në momentin e zgjedhjeve të 96, që ishin pika kritike ku SHBA-të u afishuan kundër shkeljeve të normave më elementare të PD-së siç ishin zgjedhjet dhe në mënyrë të veçantë kur Berisha refuzoi të presë zëvëndës sekretarin amerikan të shtetit. SHBA-të për këtë akt kanë bërë një deklaratë zyrtare dhe janë distancuar. Pas kësaj fillon rënia e marrëdhënieve personale të Berishës dhe PD-së me SHBA-të.
Top Channel