Në 6 muaj u kap 1.2 ton hashash! Më shumë se 100 persona të arrestuar, u zbuluan edhe 15 shtëpi bari

04/07/2022 19:44

Pavarësisht se prej vitesh ministria e brendshme dhe policia e shtetit kanë hartuar strategjinë kombëtare kundër kultivimit të kanabisit sërish ky fenomen është prezent në vendin tonë.

Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti policia ka sekuestruar rreth 1.2 tonë kanabis. Një fenomen i ri është dhe kultivimi i lëndës narkotike në ambiente të mbyllura me ndihmën e llambave ku vetëm gjatë këtij 6 mujori janë zbuluar 15 shtëpi bari.

Më shumë se 100 persona kanë rënë në pranga për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike. Kontrollet e territorit në ambiente të hapura dhe të mbyllura kanë berë që policia të sekuestrojë bimë narkotike dhe në kubikë apo dhe fara.

“Top Channel” mëson se gjatë këtij janë sekuestruar 220 mijë farë dhe rreth 20 mijë fidanë kanabis në  kubike. Ndërkohë që nga kontrolli në terrene të hapura policia ka asgjësuar me anë të djegies rreth 30 mijë rrënjë.

Policia ka sekuestruar edhe kanabis të përpunuar në formë vaji  rreth 4 kg që dyshohet se është importuar nga jashtë vendit.

Policia e shtetit po ashtu ka sekuestruar edhe 6 kg heroinë, 110 kg kokaine dhe rreth 200 grame drogra të tjera sintetike.

Sipas raportit Botëror të Drogave në  2022 Shqipëria renditej e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e kanabisit për periudhën 2016-2019. Lista me 154 shtete kryesohej nga Maroku.

Top Channel