Lëkura është organi më i madh dhe më i ekspozuar ndaj diellit. Në stinën e verës përkujdesja për të duhet të jetë e shtuar.

Dhe në këtë pikë na ndihmojnë këshillat e dermatologes Dorina Hajro.

“Këshilla e parë dhe më e rëndësishme është të aplikohet krem dielli me mbrojtje mbi 30, në gjithë sipërfaqen e trupit, dhe kjo të bëhet çdo dy orë gjatë kohës që jemi të ekspozuar jashtë për një kohë të gjatë”, tha mjekja dermatologe, Dorina Hajro.

Për gjithë individët që nuk janë nisur ende me pushime rekomandojmë që të vijnë dhe të bëjnë një kontroll të të gjithë nishaneve në trupin e tyre për të parë nishanet që mund të jenë pak të çrregullt dhe që duan një kujdes të veçantë.

Diagnostikimet në fazat e hershme po rriten gjithnjë e më shumë dhe sigurisht që vdekshmëria është ulur për shkak të kancerit të lëkurës e në mënyrë më specifike për shkak të formës më të rëndë që është Melanoma.

Shenjat që duhet të na shqetësojnë janë nëse një nishan ekzistues ndryshon në ngjyrë, përmasë, mund të gjakoset, të ketë kruarje, skuqje etj. Të gjitha këto janë shenja që tregojnë se aty diçka po ndodh.

Më të rrezikuarit janë individët me lëkurë të çelët, ata që kanë histori personale apo familjare të kancerit të lëkurës. Ata që punojnë në ndërtim, policët rrugorë, ata që punojnë si guida turistike në det apo site arkeologjike. Si dhe shoferët. Është e famshme fotoja e një shoferi kamioni që një anë të fytyrës atë që ia rrihte dielli e kishte më të plakur se tjetrën.

 

Top Channel