Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të enjten në Beograd se vendimi i qeverisë së Kosovës mbi përdorimin e targave të makinave dhe dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet serbe, ka krijuar një situatë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve dhe ka ndryshuar “planet dhe temat” e diskutimeve gjatë vizitës së tij në rajon.

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të kufizojë deri në fund të shtatorit përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe të vendosë masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.

Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se Prishtina me këto vendime “synon të dëbojë serbët nga Kosova”, ndërsa akuzoi vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e vendimeve të Prishtinës..

Lajçak nuk deshi të komentojë të enjten këtë pohim të presidentit serb por tha se “duhet të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet bisedimeve dhe jo nëpërmjet përplasjeve”.

“Unë erdha në rajon që të përgatis takimin e radhës të udhëheqësve dhe të flasim për përparmin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Tani duhet të zgjidhim këtë situatë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA