Italia bën të detyrueshëm pranimin e pagesave me kartë, Shoqata e Bankave kërkon të njëjtën gjë në Shqipëri

28/06/2022 09:58

Këtë javë do të hyjë në fuqi në Itali detyrimi që të gjithë sipërmarrësit të pranojnë pagesa me karta bankare nëpërmjet pikave elektronike të shitjes (POS).

Ky detyrim fillimisht ishte parashikuar të hynte në fuqi në fund të vitit por, qeveria italiane e ka afruar në kohë hyrjen në fuqi më datë 30 qershor dhe qëllimi kryesor është lufta ndaj evazionit fiskal.

Ligji i ri parashikon gjoba për bizneset që refuzojnë pagesat elektronike. Duke nisur nga e enjtja, kushdo që refuzon pagesën elektronike do t’i nënshtrohet një gjobë administrative prej 30 Euro, të cilës i shtohet edhe 4% e vlerës së transaksionit për të cilin është refuzuar pagesa me kartë.

Për të dhënë një shembull të thjeshtë, për një faturë prej 100 Euro, të cilës i refuzohet pagesa me kartë, gjoba për tregtarin do të jetë e barabartë me 30 Euro, të cilave duhet t’i shtohen 4% e 100 Eurove, pra, gjithsej 34 Euro.

Pranimi i pagesave me kartë do të jetë i detyrueshëm praktikisht për të gjithë sipërmarrësit, duke përfshirë edhe profesionistët e lirë: nga noterët, avokatët, inxhinierët, topografët, kontabilistët, mjekët, konsulentët e punës, dentistët deri tek marangozët, farkëtarët, hidraulikët dhe shitësit ambulantë.

Megjithatë, ligji krijon hapësira përjashtuese në rast të pamundësive teknike, kryesisht kur terminalet POS janë jashtë përdorimit.

Shoqatat e Mbrojtjes së Konsumatorëve, që e kanë mbështetur ligjin e ri, shprehin shqetësimin se tregtarët mund të abuzojnë me këtë përjashtim për t’iu shmangur pranimit të pagesave me kartë.

Sipas tyre, për të inkurajuar përdorimin e duhur, do të ishte e dobishme të veprohej mbi kostot e menaxhimit të parasë elektronike, duke eliminuar plotësisht komisionet dhe kostot që paguhen nga tregtarët.

Me këtë masë, Italia iu bashkohet edhe vendeve të tjera të BE-së, si Hungaria apo Greqia, që e kanë bërë më herët të detyrueshëm për bizneset pagesën me kartë.

Një kërkesë e tillë është artikuluar në vitet e fundit në Shqipëri nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Shoqata ka kërkuar që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.

Një kërkesë e tillë u përsërit sërish në forumin e zhvilluar këtë muaj, kur Shoqata e Bankave vuri në dukje se qeveria shqiptare nuk po bën përpjekje të mjaftueshme për të ulur përdorimin e parasë cash në ekonomi.

Edhe për arsye të historisë së zhvillimit të saj, Shqipëria është një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash dhe kulturë relativisht të dobët në përdorimin e instrumenteve alternative të pagesave.

Përdorimi i lartë i cash lidhet shumë me nivelin e lartë të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Pagesat me kartë e bëjnë më të vështirë fshehjen e të ardhurave, ndaj shumica e tregtarëve të vegjël nuk preferojnë të pranojnë pagesa në këtë formë.

Një arsye tjetër mund të jenë edhe kostot e lidhura me pranimin e pagesave me kartë, por në këtë pikë bankierët besojnë se rritja e përdorimit të POS-eve do të krijonte përfitimeve nga ekonomitë e shkallës, duke ulur kostot fikse për bankat dhe rrjedhimisht edhe tarifat për bizneset që pranojnë pagesa me këto terminale.

Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.

Shoqata evidenton se pagesat me kartë varen sa nga mbajtësi i kartës, aq edhe nga tregtari, nga gatishmëria e tij për t’iu përgjigjur kërkesës së blerësit për rrugë alternative të pagesës.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2021 sektori bankar raportonte rreth 1.32 milionë karta bankare aktive.

Numri i përgjithshëm i kartave bankare vazhdon të dominohet nga nga kartat e debitit, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve, që përbëjnë rreth 86% të totalit.

Pjesa e mbetur ndahet mes kartave të kredititi dhe kartave me funksion paraje elektronike.

Ndërkohë, numri i pikave elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS) vitin e kaluar arriti nivelin më të lartë historik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, bankat kishin aktive 13 741 pajisje POS, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.

Shtimi i pajisjeve POS është një tregues i një përdorimi më të madh të kartave për pagesa automatike dhe jo më vetëm për nevoja të tërheqjes apo depozitimit të parasë fizike.

Pagesat me kartë në terminale POS vitin e kaluar arritën shifrën rekord të 34.9 miliardë lekëve, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2020.

Edhe pesha e pagesave me kartë në POS ka arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, me rreth 11.5% të totalit, nga 10.2% që kishte qenë një vit më parë.

Sidoqoftë, shifrat tregojnë qartë se në pjesën dërrmuese shqiptarët vazhdojnë ta përdorin kartën bankare kryesisht për veprime me paranë cash./Monitor.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA