Mozaiku i periudhës romake, “ylli” i muzeut të ri në Izrael

27/06/2022 23:06

Një mozaik 1700-vjeçar i epokës romake është objekti më i vyer i muzeut të ri pranë Tel Avivit. E ruajtur në mënyrë perfekte, vepra e jashtëzakonshme, me ngjyra e forma që i kanë mbijetuar ashpërsisë së kohës, është 17 metra e gjatë e 9 e gjerë, dhe bën një ekspoze të bollshme figurash si luanë, elefantë e delfinë, së bashku me fruta, lule apo varka me vela.

Ajo është zbuluar në qytetin e Lodit në 1996 dhe besohet të ketë qenë dyshemeja e një godine që daton në fundin e shekullit të tretë, apo fillimin e shekullit të katërt. Sipas arkeologëve vendas, ky mozaik nuk është vetëm më luksozi që ekziston në Izrael prej asaj periudhe, por edhe tejet unik në format dhe karakterin e rij.

“Zbuluam se ka qenë një holl pritjeje në shtëpinë e një njeriu shumë të pasur. Kjo vepër është dëshmi e faktit se artistët që kryenin këtë lloj pune në Kartagjene e Sicili, kanë udhëtuar në mbarë botën e atëhershme romake e merrnin porosi edhe për banesa. Por duhet të ishte dikush shumë i pasur vërtet që të kërkonte një mozaik të tillë kaq luksoz nga artistë të njohur të kohës, si të thuash nga një Leonardo da Vinci i periudhës romake”, thotë Hagit Torge.

Mozaiku u çmontua me kujdes e mjeshtëri të madhe, e për rreth një dekadë u ekspozua në muzetë kryesorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë, ndërkohë që në shtetin hebre ndërtohej qendra arkeologjike, që do të kthehej në strehën përfundimtare të tij. Publiku i gjerë në Izrael, do të ketë mundësi ta shohë këtë verë e të shijojë nga afër këtë vepër të paçmuar.

Top Channel