Shkatërrohet tribuna në një garë me dema, katër të vdekur dhe qindra të plagosur në Kolumbi

26/06/2022 23:00

Të paktën katër njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 300 të tjerë janë plagosur, pas shembjes së një tribune gjatë një gare me dema në qendër të Kolumbisë.

Një pamje e bërë nga lart tregon se si tribuna prej druri, me tri nivele, dhe e mbushur me spektatorë, ka rënë në stadiumin El Espinal.

Një dem është parë duke lëvizur teksa njerëzit kanë ikur në panik.

Ngjarja tradicionale, e njohur në Kolumbi si “correlaja” përfshin anëtarë të publikut, të cilët duhet të hyjnë në ring për të tërhequr vëmendjen e demave.

Në mesin e të vdekurve janë dy gra, një burrë dhe një fëmijë, ka thënë guvernatori i Tolimas, Jose Ricardo Orozco.

Autoritetet shëndetësore rajonale kanë thënë se 322 njerëz janë duke u trajtuar, ndërsa katër prej tyre janë në kujdes intensiv.

Presidenti në shkuarje Ivan Duque, ka thënë se do të ketë hetime për rastin, derisa presidenti i zgjedhur, Gustav Petro, u ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të ndalojnë organizime të tilla.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që kanë ndodhur incidente të tilla.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA