Foto ilustruese

Policia e shtetit, në bazë të hetimeve të kryera për një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, finalizoi operacionin policor të koduar “Hackers”

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

Pashuk Alia, 59 vjeç, banues në Tiranë, më profesion mësues, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik“, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumenteve shkollore”;

Liridon Peka, 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet disamujore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u vidhnin llogaritë në rrjetet sociale shtetasve të ndryshëm, të cilëve më pas u kërkonin para, që t’ua rikthenin llogaritë e tyre.

Shtetasi Liridon Peka, pasi administronte llogaritë në rrjetet sociale, të vjedhura nga përdorues të ndryshëm, i kontaktonte ata që të paguanin para për rikthimin e llogarive, ndërsa shtetasi Pashuk Alia, tërhiqte nga njësitë e transfertave të parave, shumat e përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit u gjetën disa dokumente shkollore (dëftesa), të dyshuara të falsifikuara, që i posedonte shtetasi Pashuk Alia, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 1 pajisje kompjuterike, 2 aparate celulare, dokumente institucionesh financiare dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Kibernetik po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Materialet iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA