Një kërcenim me bombë ka alarmuar këtë pasdite aeroportin e Prishtinës.
Udhëtarët dhe personeli u evakuuar, ndërsa ekipet e planit emergjent mbërritën në vendngjarje , ku pas kërkimeve konfirmuan se alarmi është i rremë. Pas kësaj, u rikthyen fluturimet në aeroport.
Gjatë javëve të fundit, policia e Kosovës ka marrë disa njoftime për bombë në shkolla dhe institucione të tjera shtetërore. Pas verifikimeve, kanë rezultuar të gjitha alarme të rreme.
Vetëm këtë të mërkurë alarme për bomba u dhanë për disa shkolla në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut. Informacionet për bombë kanë ardhur me anë të adresave zyrtare të email-it të këtyre shkollave, ndërsa popullsia në këto zona është kryesisht serbe. Të gjithë nxënësit janë evakuuar nga këto objekte, por më pas është konfirmuar se nuk ka pasur bomba apo lëndë të tjera plasëse.
Top Channel