Masakër mjedisore në Krastë të Elbasanit! Shërbimi Pyjor: Ka shumë rrugë, na ikin autorët

15/06/2022 20:45

Pylli i Krastës në Elbasan i njohur edhe si “Parku Periferik” i këtij qyteti po degradohet çdo ditë nga prerjet e paligjshme.

Emisioni Fiks Fare e ka denoncuar këtë fakt edhe para 3 muajsh, por prerjet vazhduan po njësoj edhe pse institucionet shtetërore u zotuan se do i ndalonin ato.

Mbrëmjen e sotme Fiksi solli sipërfaqe të mëdha pylli ku dukeshin vetëm trungjet e prera edhe pse për gazetarët para 3 muajsh u tha se prerjet do ndalojnë dhe se do kryheshin inspektime të menjëhershme.

Por në realitet nuk ka ndodhur kështu. Sot pas 3 muajsh nga denoncimi i Fiksit prerjet vazhdojnë.

Emisioni Fiks Fare ka siguruar pamje të prerjeve të reja që janë bërë pa kriter ,duke lënë sipërfaqe të shkretuara pa pisha. Gazetarët komunikojnë me Drejtorin e Shërbimit Pyjor, Shpëtim Cullhai i cili pranon se prerjet vazhduan edhe pse ky krim mjedisor u denoncua nga Fiksi para 3 muajsh. Drejtori fajëson për këtë terrenin e vështirë që të çon në pyll, gjë e cila ka favorizuar autorin.

Njëkohësisht duke pranuar edhe dëmin kolosal që është bërë në pyll nga prerjet e pishave ai thotë se pas shumë inspektimeve në terren autorët u kapën .

Ata janë babë e bir, djali ishte vetëm 17 vjeç.  Gazetarët e Fiksit e pyesin drejtorin se pas këtij dëmi të shkaktuar a mund të bëhet ripyllëzim?

Drejtori thotë se për këtë u hap një tender për 20.000 rrënjë por u anulua, pasi subjektet që morën pjesë nuk plotësonin dokumentacionin e duhur. Tashmë nuk është sezoni i duhur për ripyllëzim ndaj dhe pritet në muajin shtator të hapet sërish tender.

 

Top Channel