Pedagogu Arlind Qorri njoftoi në “Top Talk” për protestën që do të zhvillohet nesër në kryeqytet dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë për t’u shprehur kundër rritjes së çmimeve të produkteve të shportës.

Qytetarët tashmë paguajnë më shumë për produktet dhe shërbimet që marrin, një situatë që po rëndon çdo ditë e më shumë xhepat e tyre. Duhet të protestojmë për shkaqet se përse Shqipëria ndodhet në këtë krizë, shprehet aktivisti i Organizatës Politike.

“Shqipëria dhe në kushte normale është në krizë, është një vend në varfëri. Që para krizës, 10% e qytetarëve kanë qenë në krizë absolute, mezi kanë për të ngrënë. Imagjino sa mund të jenë përkeqësuar këto shifra me këto rritje galopante të çmimeve.

Në këtë kuptim do të protestojmë jo vetëm për të shfaqur pakënaqësinë popullore, por të protestojmë për shkaqet pse Shqipëria është në këtë gjendje. Cilat janë shkaqet që vit pas viti, Shqipëria është kaq shumë e ekspozuar, më shumë se çdo vend tjetër nga efektet e krizës. Mbaj mend kur isha i vogël që njerëzit mbanin radhë për të blerë ushqime. Tani nuk mbajnë radhë, produkte ka, por nuk ka para t’i blejnë”.

Sipas aktivistit, sot shumë shqiptarë nuk arrijnë të blejnë qumësht, vaj e ushqime të tjera bazike.

“… sepse nuk kanë para mjaftueshëm, sepse pagat e tyre janë shumë të ulëta, pensionet janë shumë të ulëta, ndihma ekonomike është qesharake. Ndërkohë, çmimet vetëm rriten. Midis prillit dhe majit, në vetëm një muaj, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur me 20-30%, sipas statistikave reale, ndërsa rritja reale mund të jetë edhe më e madhe”.

Sipas Qorrit, qeveria nuk ka marrë masa për përballimin e krizës, madje këtë periudhë në buxhetin e shtetit ka më shumë të ardhura nga taksat.

“Qeveria ka më shumë të ardhura tani, ndërkohë që ka menduar të subvencionojë vetëm kompanitë e ndërtimit. Kriza do të vazhdojë dhe nuk është produkt vetëm i krizës, është produkt i keqmenaxhimit nga ana e qeverisë”.

Ai akuzon qeverinë për neglizhim të situatës dhe mosveprim për të ndihmuar dhe subvencionuar qytetarët dhe bizneset.

Për elitën politike, për qeverinë, zere se nuk po ndodh asgjë. Për ata është një normalitet që vazhdon dhe riprodhohet, bëjnë festa, bëjnë finale, premtojnë sezone turistike, a thua se situate është normale.

Shumica dërrmuese e shoqërisë, njerëzit e varfër, shtresa e mesme, është e goditur nga kriza. Pakënaqësia është e madhe dhe në rritje. Mbi të gjitha, kur sheh qeverinë, nuk sheh asgjë lloj zgjidhje. Ne në pushtet kemi njerëz që janë të krimbur në para dhe kjo për faktin që na vjedhin neve, në bashkëpunim me njerëz të tjerë. Gjithë shoqëria duhet të bashkohet për t’iu kundërvënë, sepse ata vazhdojnë pasurohen dhe në mes të krizës”.

Qorri bën thirrje për grumbullimin e sa më shumë qytetarëve në shesh, me qëllim reagimin e qeverisë.

“Nëse mblidheni 200-300 vetë, qeveria nuk do të na dëgjojë. Por nëse bëhemi 10.000 qeveria do të na dëgjojë sepse do të fillojë të trembet. Do të mendojë se pastaj do të bëhemi 15.000, 20.000 e kështu me radhë. Kështu mund ta vënë qeverinë me shpatulla pas murit. Si në protestën e studentëve në fillim janë ngelës, pastaj e kuptoi që nuk ishte e mbyllte aq lehtë. Shkarkoi gjysmën e qeverisë”.

Top Channel