Shqipëria zhgënjen sërish, këtë herë në miqësoren ndaj modestëve të Estonisë, ku nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola, duke konfirmuar vështirësinë e skuadrës për të krijuar dhe shënuar.
Trajneri Reja kishte zgjedhur t’u japë mundësinë lojtarëve që ishin aktivizuar pak ose aspak në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, teksa nga minuta e parë luajtën emra si Bajrami, Mihaj, Hoxhallari, Çokaj, Seferi e Ramadani.
Në pjesën e parë kuqezinjtë patën iniciativën, por nuk arritën të konkretizojnë në raste, teksa mundësinë e vetme për shënim e pati në kokë Giacomo Vrioni, që gjuajti keq dhe dërgoi topin mbi kuadrat.
Në 45-minutëshin e dytë Reja hodhi në fushë edhe emra si Uzuni e Broja, për t’i dhënë një tjetër ritëm lojës së skuadrës, por pavarësisht disa rasteve të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar.
Dy herë portieri kundërshtar u bë pengesë për shënimin e golit, teksa në 2-3 raste të tjera Uzuni u tregua i pasaktë në gjetjen e portës, duke bërë që Shqipëria të mos shkojë dot përtej barazimit pa gola.
Kjo ishte sfida e fundit e Shqipërisë për këtë sezon, teksa kuqezinjtë do të rikthehen në fushë më 24 dhe 27 shtator, për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.
Mbyllet kështu në mënyrë zhgënjyese ky sezon për kuqezinjtë, që jo vetëm e shohin veten larg vendit të parë në grupet e Ligës së Kombeve, por tregojnë se nuk dinë të shënojnë as ndaj një kundërshtari modest si Estonia.
Shqipëri-Estoni (0-0)
Mbyllet në barazim pa gola miqësorja mes Shqipërisë dhe Estonisë.
83’ – Tjetër krosim për Uzunin, që kërcen, por nuk godet si duhet dhe dërgon topin jashtë kuadratit, pa rrezik për portierin mik.
80’ – Zbritje e shpejtë e Uzunit, që kërkon pasimin brenda zonës, por ndërhyn mbrojtja estoneze dhe largon topin në këndore.
73’ – Tjetër krosim në zonë, këtë herë për Brojën, që provon me kokë, por nuk i jep forcën e duhur topit.
73’ – Top i gjatë për Uzunin, që provon të devijojë sferën drejt rrjetës në një mënyrë mjaft të zgjuar, por është i pafat dhe nuk gjen kuadratin.
60’ – Pranë golit Estonia. Pas një krosimi të ardhur nga krahu, ishte numri 20 Poom që goditi me kokë, por topi shkoi ngjitur me shtyllën e portës së Selmanit.
53’ – Çekiçi fiton një goditje dënimi mbi vijën e 16-metërshit, të cilën e ekzekuton vetë dhe gjen kuadratin, por grushton portieri i Estonisë.
50’ – Uzuni lëviz bukur dhe lëshon një goditje nga distanca, por gardiani i Estonisë fluturon dhe shmang golin.
Mbyllet pa gola pjesa e parë në “Air Albania”
32′ – Çekiçi hedh një kros perfekt për Vrionin, që shpërdoron dhe godet mbi kuadrat. Mundësi ideale për kuqezinjtë…
30’ – Kuqezinjtë ekzekutojnë një këndore, teksa Seferi provon të dërgojë topin në rrjetë, por topi devijohet dhe largohet nga mbrojtja estoneze.
22′ – Krosim në zonë për Vrionin që kërcen mirë, por godet keq dhe nuk rrezikon portën kundërshtare…
16’-Hysaj tenton të gjej golin në një gjuajtje nga distanca, por e dërgon topin te portieri Igonen.
08-Dëmtohet Hoxhallari, ndalet për pak momente ndeshja.
Formacioni zyrtar:
Shqipëria: Selmani, Bajrami, Mihaj, Hoxhallari, Veseli, Çokaj, Ramadani, Çekiçi, Hysaj, Seferi, Vrioni
Trajner: Edy Reja
Estonia: Igonen, Kuusk, Paskotsi, Lukka, Purl, Peetson, Soomets, Poom, Miller, Sorga, Zenjov
Trajner: Thomas Häberli
Top Channel