“Një mësues i zotë përgatit nxënës të zotë!”

Nxitja e maturantëve më të mirë përmes një burse mujore sa paga minimale dhe përjashtimit nga tarifa e studimit, nëse zgjedhin të arsimohen në programet e studimit me prioritet kombëtar, nuk është e mjaftueshme sipas ekspertëve të arsimit. Në të njëjtën mënyrë duhet të motivohen edhe vetë mësuesit.

 “Një mbështetje e tillë mbështet të ardhmen, por këto masa duhet të shoqërohen edhe me mbështetjen në të njëjtën mënyrë të pjesës që e kualifikon këtë brez të ri, plejadën e mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit tonë”.

Mes vetë mësuesve duhet bërë një dallim. Në bazë të performancës së tyre, arsimtarët më të mirë sugjerojnë ekspertët, të shpërblehen nga ana financiare, për të rritur konkurrencën pozitivisht.

 “Sot ka olimpiada, ka projekte të ndryshme, ndaj duhet diferencuar puna e mësuesit dhe arritjet e tyre të shpërblehen me bonuse që mësuesit të motivohen edhe materialisht”

Nga ana tjetër,  motivimi financiar i mësuesve duhet të shoqërohet me një mbikëqyrje të mësimdhënies për të shmangur notat pa meritë të vendosura nga ta.

 “Duhet të testohen mësuesit herë pas herë, për të parë nëse ka testim fiktiv apo jo… “

Puna e mësuesit që luan rol të rëndësishëm në edukimin e të gjithë shoqërisë me profesione të ndryshme, sipas specialistëve të arsimit, duhet të jetë ndër profesionet më të paguara, krahas respektit të figurës së tyre.

  “Më kujtohet një fjalë e Merkelit kur e pyesnin pse i paguani më shumë mësuesit në gjermani? E tha po ata na kanë mësuar ne… pesha e mësuesit dhe e qiellit nuk maten…”

Top Channel