Kundër hartës së re gjyqësore/ Avokatët e Fierit, Korçës dhe Kurbinit njoftojnë bojkotimin e seancave

13/06/2022 13:18

Avokatët e Fierit, Korçës dhe Kurbinit kanë njoftuar bojkotimin e seancave gjyqësore duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore në vend që pritet t’i kalojë Këshillit të Ministrave.

Avokatët e Fierit kanë njoftuar bojkotin për gati një javë të çështjeve gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Fier, Ermal Hamataj në një deklaratë për mediat është shprehur së që prej ditës së sotme në të gjithë Shqipërinë janë 3000 avokatë që do bojkotojnë seancat gjyqësore si tentativa e fundit për t’i “ndryshuar mendjen” KLGJ-së për të ashtuquajturën “Harta e re gjyqësore”.

Hamataj tha se vetëm masat e sigurimit nuk bojkotohen ndërkohë që në rast se nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit nuk do të ndryshohet ky ligj atëherë hapat që do të marrin do të vijojnë për një muaj bojkot.

Ndërsa kreu i Dhomës së Avokatëve në Korçë, Arben Lena në një deklaratë për mediat theksoi se me hartën e re gjyqësore rrezikohet rritja e vetëgjyqësisë.

Një ditë më parë, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë i kërkoi anëtarëve të tij, të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.

Sipas Dhomës të Avokatisë, harta  re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit,  të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

Ky vendim theksohet në reagimin e Dhomës së Avokatëve cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.

Kundër vendimit për bojkot ka dalë avokati Saimir Vishaj i cili tha se afati kësaj greve është shumë i shkurtër dhe dëmi që mund të shkaktojë në raport me qëllimin e saj është relevant.

Avokatët thonë se nuk mund të ofrojnë shërbimin e tyre për qytetarët pasi mungon infrastruktura dhe pamundësia e lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi për hartimin e vënien në veprim të hartës së re gjyqësore ka marrë kundërshtime edhe nga biznesi dhe noterët duke e quajtur si një hap shumë radikal.

Harta e re Gjyqësore parashikon 12 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe një  gjykatë Apeli në Tiranë, si rrjedhim 10 gjykata pritet të shkrihen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA