600 ndërmarrje të reja me kapital të huaj dhe të përbashkët u hapën vitin e kaluar në vend, duke e çuar numrin total të tyre në 6 635 subjekte, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Pjesa më e madhe e tyre mbi 5700 subjekte janë sipërmarrje të vogla që punësojnë 1 deri në 9 persona që kanë rezultuar me rritje këtë periudhë, ndjekur nga bizneset me 10 deri në 49 punonjës që u pakësuan. Ndërsa vetëm rreth 300 biznese të huaja numërojnë mbi 50 të punësuar.

Statistikat tregojnë se tregtia vazhdon të dominojë pjesën dërrmuese të aktivitetit të bizneseve të huaja që mbi gjysma mbizotërohen nga vendet e Bashkimit Europian, ndjekur nga shërbimet dhe industria.

Por, së fundmi vihet re edhe një interes i shtuar i investitorëve të huaj për të investuar në ‘Informacion e Komunikacion’. Vitin që lamë pas u regjistruan 97 biznese të reja në këtë sektor duke e çuar numrin e tyre në 528 gjithsej në fund të vitit 2021, me një rritje të ndjeshme krahasuar me 2020-ën.

Sipërmarrjet me pronarë dhe bashkëpronarë italianë e grekë zënë gati gjysmën e totalit të bizneseve të huaja e të përbashkëta në Shqipëri, subjekte që janë përqendruar kryesisht në dy qarqet më të mëdha të vendit, në Tiranë dhe Durrës.

Pas tyre, janë bizneset me pronësi e bashkëpronësi nga Kosova që pas rënies në vitin pandemik në 2020-ën, iu rikthyen rritjes vitin e kaluar, ndërsa ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta nga Turqia që operojnë në vend kanë vijuar rënien për të katërtin vit radhazi.

Vitin që lamë pas, së bashku me ndërmarrjet e huaja u hapën në total rreth 15 mijë biznese të reja vend, duke bërë që numri i bizneseve aktive në vend të arrijë në 118.627.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA