Dhoma e Avokatisë kundërshton hartën e re gjyqësore që ka më pak gjykata apeli ne rrethe dhe në shenjë proteste kërkon bojkotim të gjyqeve nga e marta në të premte.

Komiteti Drejtues konstaton se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.

“Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative. Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe ne përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë.

Nisur dhe bazuar në këtë situatë Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet Tij i kërkojmë të përcjell në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje te interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit te mësipërm paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se në këto kushte, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë ka vendosur të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim , në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri në datën 17 qershor.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha “po” mbylljes së 18 gjykatave në vend,  për të cilat në finale, fjala e fundit i takon këshillit të ministrave.

Reformën më të thellë të reduktimit të gjykatave e pësojnë gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që mbyllen të gjitha dhe mblidhen të gjitha në një gjykatë apelit me seli në Tiranë.

Njëkohësisht mbyllen edhe gjykatat administrative të Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe Durrësit që më herët mbulonin  kompetencën tokësore të tetë qyteteve. E paprekur mbetet gjykata administrative e apelit që do të vijojë të jetë një e vetme me qendër në kryeqytet.

Të hapura gjate 2009 me synimin për të formuar drejtësi të shpejtë për qytetarët që hapin padi ndaj shtetit, këto gjykata mblidhen në Tiranë dhe në Lushnjë. Ndërkohë që nga gjykatat e shkallës së parë mbyllet  gjykata e Kavajës, Lushnjës, Kurbinit, Pogradecit, Tropojës  dhe Krujës.

Por drejtësia pavarësisht riorganizimit është shumë larg numrit prej 408 gjyqtarësh që duhet të ketë në detyrë. Të vetmit që janë me numrin e duhur janë personeli gjyqësor prej 1140 të tillë.

Ky vendim i përcillet menjëherë Këshillit të Lartë të prokurorisë, prokurorit të përgjithshëm dhe ministrit të financave si autoriteti që shikon buxhetin.

 

Top Channel