Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë bekimin e tyre për Ballkanin e Hapur përmes të dërguarit të posaçëm, Gabriel Escobar.

Por i dërguari i Departamentit të Shtetit dha për herë të parë një përcaktim të qartë të kësaj nisme dhe karakterit të saj.

Escobar: SHBA  ju mbështet që iniciativa të jetë ekonomike, ky nuk është projekt politik, por është një projekt i rëndësishëm ekonomik dhe i tillë duhet të mbetet.

Kosova refuzon të bëhet pjesë e kësaj nisme, pasi e quan nismë të Serbisë. Qëndrimet ironike të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov sikur nisma është projekt i Beogradit i shërbyen për t’i hedhur benzinë zjarrit, në Tiranë dhe Prishtinë. Edi Rama mori menjëherë pozicionin e zjarrfikësit.

Rama: Nëse zotëria do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të Hapur, sigurisht që Ballkani do të ishte i hapur minimalisht për të. Ai nuk ka mundur të hyjë në Ballkan sepse Ballkani për të është i mbyllur tërësisht i mbyllur dhe për këtë arsye ai nuk ka marrë dot leje të hyjë në Ballkan.

Presidenti serb deklaroi gjithashtu se Moska nuk kishte punë me Ballkanin e Hapur.

 Vuçiç: Nuk turpërohem nga marrëdhëniet e mira tradicionale që kemi me federatën ruse. Ballkani i Hapur është ide e Zoran Zaev, e Edi Ramës dhe e imja. askush tjetër nuk ka marrë pjesë në këtë ide.

Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi  për herë të parë iu bashkuan nismës në rolin e vëzhguesit. Por Dritan Abazoviç dha sinjale për një hap më shumë në të ardhmen e afërt.

Nismëtarët e Ballkanit të Hapur thonë se ky proces ndihmon integrimin europian, një proces shume i kritikuar si përjashtuar ndaj vendeve tona.

Rama: Më parë merrja kurajë nga BE, tani më vjen keq për ta. Ne nuk do presim më për dasmë.  Europianë jemi vetë, nuk na bën BE.

Edhe Komisioni Europian e sheh Ballkanin e Hapur, gjithashtu  si një hap  pozitiv drejt integrimit.

Varhelyi: Ballkani i Hapur mund të jetë edhe mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt BE.

Gjithsesi për amerikanët, procesi do jetë i suksesshëm nëse të  gjitha vendet bëhen pjesë.

Escobar: Që nisma të ketë sukses duhet  të jetë e hapur për të gjithë, duhet t’i përfshijë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

 Por sipas kryeministrit veri-maqedonas, ashtu si në integrimin e BE, edhe në Open Balkan, koha e lutjeve ka mbaruar.

Kovaçevski: Ftesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është e hapur. Ne i bëjmë thirrje të na bashkohen të gjithë.

Samiti pati dhe pjesën e tij praktike me katër marrëveshjeve të karakterit ekonomik, arsimor e kulturor. Por lajmi i vërtetë i këtij raundi, ishte përcaktimi i qartë amerikan për këtë nismë që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët ekonomike, duke hedhur poshtë akuzat për krijime federatash apo bashkimesh ekonomike.

Një gjë që u mbështet edhe nga Komisioni Europian. Kosova mungoi këtë herë, e me siguri do mungojë edhe në raundin e shtatorit, i cili zhvillohet në Beograd.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA