Nisin bisedimet për grurin në Turqi, ministri rus takohet me homologun turk

08/06/2022 13:05

Ministri turk, Mevlut Cavusoglu dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov nisën në Ankara bisedimet e shumëpritura, të fokusuara tek përpjekjet për çeljen e një korridori që të lejojë dërgesat e grurit ukrainas, të bllokuar në portet e vendit të përballur që prej muajit shkurt me agresionin e Moskës.

Bisedimet vijnë në kohën kur dhe vetë Turqia përballet me presionin të hapë Detin e Zi për anijet e NATO-s për të thyer bllokadën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Diskutimet mes ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov dhe zyrtarëve turq do të përqëndrohen pjesërisht në krijimin e një korridori në Detit të Zi, për të lejuar drithin ukrainas të hyjë në tregjet botërore.

Ankaraja thotë se një marrëveshje e tillë shmang rrezikun e konfrontimit midis NATO-s dhe Rusisë, duke pasur parasysh praninë e fortë detare të Rusisë në Detin e Zi. Por analistët dyshojnë se Rusia është e angazhuar për të lehtësuar krizën e grurit dhe shtojnë se Moska mund ta shfrytëzojë situatën për interesat e saj.

Nëse gruri ukrainas mbetet i bllokuar, analistët thonë se Ankaraja do të përballet me presion në rritje për t’u dhënë anijeve luftarake të NATO-s hyrje në Detin e Zi përmes ngushticës të Bosforit në Stamboll, të cilën Turqia e administron sipas Konventës ndërkombëtare Montreux.

Ankaraja është më se e ndërgjegjshme për dëshirën e Moskës që Turqia ta mbajë Bosforin të mbyllur për anijet e NATO-s, gjë që i jep Turqisë një epërsi të fuqishme në bisedimet me Rusinë.

Top Channel