Shërbimet europiane të inteligjencës vlerësojnë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të ndërmarrë hapa për të shtyrë shkëputjen nga Rusia.

Por BE-ja duket e gatshme të vazhdojë përpjekjet për ta tërhequr nga ana e saj. Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, zhvilloi një bisedë telefonike me Vuçiç, të cilit i tha se përpara i pret një punë e rëndësishme për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne duam ta llogarisim Serbinë si një kandidate të sinqertë dhe partnere të besueshme evropiane për parimet, vlerat, sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në Twitter.

Biseda mes tij dhe Vuçiç ndodhi në Ohër, ku ky i fundit gjendet për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti serb është vënë nën një presion të madh nga Bashkimi Europian, i cili i kërkon Beogradit të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e bllokut në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Serbia, shtet kandidat për anëtarësimin në BE, është i vetmi shtet në Evropë që nuk e ka hedhur një hap të tillë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i bëri sërish thirrje Beogradit të mos i forcojë lidhjet me Rusinë.

“Në kohën e agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, BE-ja pret nga Serbia, që si vend kandidat të mos i forcojë edhe më shumë lidhjet me Federatën Ruse. Nga vendet kandidate, përfshirë edhe Serbinë, presim që gradualisht të harmonizojnë politikat e tyre me qëndrimet dhe vendimet e miratuara nga BE-ja ndaj vendeve të treta, përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Stano.

Top Channel