Lehtësimi i masave kufizuese ka rritur transportin e udhëtarëve nga porti më i madh në vend, ndërsa autoritetet dhe operatorët portualë presin një verë të nxehtë dhe në shifra.
Gjatë muajit maj, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriterti Portual Durrës, tragetet kanë kryer 76 lundrime në linjat nga porti i Durrësit drejt porteve të Barit e Ankonës dhe anasjelltas, duke transportuar rreth 38,200 pasagjerë, 19,487 të te cilëve kanë qenë në dalje nga vendi ynë dhe 18,683 pasagjerë në hyrje.
Krahasuar me majin e vitit 2021, ka pasur 5,150 pasagjerë më shumë. Me tragete janë transportuar edhe 7,355 automjete dhe 8,174 kamionë e trailera, të cilët kryesisht bëjnë transport të mallrave mes dy brigjeve të Adriatikut.
Rritja e numrit të udhëtarëve lidhet edhe me afrimin e sezonit veror, gjatë të cilit pritet të zbatohen masa shtesë të shërbimeve në terminalin e trageteve për përballimin e shpejtë dhe pa probleme të lëvizjeve në hyrje dhe dalje nga ky vendkalim kufitar.
Burimet bëjnë me dije se APD dhe operatorët e tjerë kanë nisur tashmë zbatimin e planit të dedikuar të masave për të siguruar mbarëvajtjen e operacioneve në nisje të këtij sezoni turistik veror, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve.
Top Channel