VOA: Gjenerali Bajram Begaj zgjidhet si president i ri i vendit me votat e Partisë Socialiste

04/06/2022 21:08

Në Shqipëri, ish shefi i Shtabit të përgjthshëm, gjeneral-majori Bajram Begaj do të jetë presidenti i ri i vendit.

I propozuar 24 orë më parë nga shumica socialiste në pushtet, zoti Begaj u zgjodh sot në mbrëmje, po me votat e saj, për t’u ngjitur në postin më të lartë të shtetit. Ai mori 78 vota, nga të cilat 74 llogaritet të jenë të socialistëve, 3 të partisë Socialdemokrate, dhe një votë në favor mendohet të ketë kaluar nga 6 deputetët e opozitës (3 të LSI-së dhe 3 të PDIU-së) që morën pjesë në votim. 1 votë tjetër ishte abstenim dhe 4 kundër. LSI nga ana e saj kishte deklaruar para nisjes së seancës se do të votonte kundër. Pjesa tjetër e opozitës nuk u përfshi në votim.

Deputetët që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha, i cili ka marrë drejtimin e PD-së, u larguan nga salla, ndërsa një pjesë tjetër, që njeh si kryetar të grupit demokrat zotin Enkelejd Alibeaj, nuk morën pjesë në seancë. Ata që mbrëmë ngritën akuza direkte ndaj zotit Begaj, ndërsa deklaruan se kryeministri “nxorri sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore”, një referencë direkte për një pjesë të pronave të ushtrisë që kanë kaluar në duart e privatëve.

Votimi i sotëm, ishte i katërti në radhë, ndërsa 3 të mëparshmit, ku kërkohej një shumicë e cilësuar, dështuan pasi shumica dhe opozita nuk arritën të gjenin një marrëveshje për zgjedhjen e një figure konsensuale.

Presidenti i zgjedhur e ndoqi procesin e votimit në sallën e parlamentit. Ai do të marrë detyrën më 24 korrik. Kryeministri Edi Rama tha pas seancës së sotme se “i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit, humanizmit dhe patjetër dhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit”.

Seanca u parapri gjatë ditë me përmbylljen e një sërë procedurave, që nisën herët me mbledhjen e grupit parlamentar të shumicës. Mbrëmë, në kryesinë e partisë së tyre, socialistët shpenzuan të paktën afro dy orë në diskutime që siç u tha përfshinë një mori kandidaturash për presidentin e ri të vendit, përpara se të vendosnin për emrin e shefit e Shtabit të përgjithshëm. Ndërsa në grupin parlamentar, një gjë e tillë nuk u pa e nevojshme. Ose më saktë, kështu vendosi, kryeministri Edi Rama, pavarësisht se në të vërtetë deputetët janë ata që do shpreheshin më pas me votë për të ngjitur gjeneral-majorin Bajram Begaj në majën më të lartë të piramidës shtetërore.

“Grupi do të votojë në unanimitet të plotë e nuk ka nevojë të diskutojmë për këtë në aspektin e vendimmarrjes politike për votimin e Presidentit të ri të Republikës”, deklaroi kryeministri në mbledhjen e grupit. Deputetët socialist u mjaftuan me shpjegimin e zotit Rama për procedurat e ndjekur mbrëmë në kryesi dhe me arsyet se përse sipas tij kandidatura e propozuar kishte qenë zgjedhja e duhur. “Përmbush nevojën alarmante që ka gjithë ngrehina institucionale e shtetit për një njeri normal në zyrën e kreut të shtetit, për një figurë me një profil sa të lartë në aspektin institucional, sepse bëhet fjalë për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, aq edhe të pa angazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike”, u shpreh zoti Rama. Më pas, gjysma e 74 deputetëve të shumicës përmbyllën anën protokollare, duke firmosur propozimn në mbështetje të kandidatit të përzgjedhur.

Shefi i Shtabit të përgjithshëm, i cili që mbrëmë la mënjanë uniformën ushtarake, ndërsa u paraqit me veshje civile në takimin me kryeministrin, sot zyrtarizoi dorëheqjen duke firmosur kërkesën për lirimin nga detyra.

Ish kryeministri Berisha foli sot për një situatë të rrezikshme në lidhje me kufizimet e kushtetutës për emërimet në poste politike të ushtarakëve. Sipas tij “do të ishte antikushtetuese, e turpshme dhe jashtë çdo llogjike ligjore te shpallje ushtarak jo aktiv atë që kalon nga karrigia më e lartë e Ushtrisë, në karrigen më të lartë të shtetit. Në rast se gjeneral Begaj kishte ambicie politike, ai duhet prej kohësh të kishte hequr dorë nga funksionet ushtarake”.

Situata u duk se po komplikohej, për shkak dhe të faktit se presidenti Ilir Meta, i cili duhej të firmoste lirimin e gjeneralit, ndodhet prej dy ditësh në një aktivitet zyrtar në Stamboll. Megjithatë, kreu i Shtetit, e hodhi firmën e tij, prej andej, duke shmangur ndezjen e një debati juridik mbi këtë çështje.

Presidenti i zgjedhur mori menjëherë urimet e ambasadës amerikane në Tiranë. “Si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai kontribuoi në mënyrë domethënëse në bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Ne presim me kënaqësi që të vazhdojmë të punojmë me të në detyrën e tij të re dhe të forcojmë më tej partneritetin midis vendeve tona”, deklaron ambasada e Shteteve te Bashkuara./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA