“Rusët po na marrin fëmijët”, Zelensky jep alarmin: Mbi 200 mijë të deportuar në Rusi

02/06/2022 12:46

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky jep alarmin për një tjetër politikë kriminale që Rusia po ndjek ndaj vendit të tij. në mesazhin më të fundit, kreu i shtetit ukrainas denoncon rrëmbimin e fëmijëve ukrainas nga forcat ruse. Sipas Zelenskyt,  mbi 200 mijë të mitur janë deportuar deri tani në vendin fqinj.

“Rusia ka marrë me forcë si të rriturit ashtu dhe fëmijët, është një nga krimet më të tmerrshme të luftës. Në total mbi 200 mijë fëmijë ukrainas janë deportuar deri më tani. Shumë janë jetimë të marrë nga jetimoret. Por ka edhe prej atyre që ishin me prindër apo nga prindërit e shkurorëzuar.” tha Zelensky’.

Sipas presidentit ukrainas, shteti rus këta njerëz po i shpërndan në territore të ndryshme të Rusisë – në veçanti në ato të largëta.

“Kjo politikë e qëllimshme kriminale nuk është vetëm vjedhja e njerëzve, por edhe që t’i bëjë këta ukrainas të harrojnë dhe të mos munden më të rikthehen në vendin e tyre”  tha Zelensky.

Forcat ruse sakaq janë shumë afër që të marrin kontrollin e qytetit kyç ukrainas, Severodonjeck, pas disa ditësh luftimesh të ashpra me mbrojtësit ukrainas, teksa Uashingtoni ka paralajmëruar se konflikti mund të zgjasë edhe për shumë muaj të tjerë.

Britania ndërkaq i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë duke njoftuar se do t’i dërgojë Ukrainës sisteme të avancuara të armëve, në mënyrë që Kievi të mbrojë veten ndaj forcave ruse.

Në qytetin industrial të Severodonjeckut, që është bërë caku kryesor i Moskës në ofensivën e saj në lindje të Ukrainës, kreu i administratës ushtrake, Sehiy Hayday, tha se 80 për qind e qytetit tani është nën kontrollin rus.

Top Channel