Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori, u shpreh kryeministri i Shqipërisë në deklaratën e dhënë për mediet para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku që këtë muaj drejtohet nga Shqipëria.

“Llogaria efektive do të kontribuojë për paqen, pajtimin dhe rritjen e sigurisë për të ndërtuar demokracinë në nivel lokal, rajonal, global e për ta mbrojtur dhe për të nxitur të drejtat e njeriut kudo. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë botën gjithnjë e më të vogël për shkelësit duke përdorur mjetet dhe mekanizmat e llogaridhënies përmes drejtësisë“, shtoi Rama.

Këtë të mërkurë po mbahet debati i hapur i Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi llogaridhënien ndërkombëtare, vendosur në rendin e ditës nga Shqipëria si një ndër prioritetet e programit të vendit tonë në këtë këshill.

Rama listoi tre objektivat e debatit të sotëm:

Së pari, të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtete dhe ato që veprojnë për llogari të tyre për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Së dyti, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies jo vetëm në nivel shtetëror, por po kështu në atë rajonal dhe ndërkombëtar.

Së treti, ta orientojmë vëmendjen tek viktimat, të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare është thelbësore për të vënë në vend të drejtat dhe dinjitetin e viktimave dhe të afërmve të tyre. Është po kështu kritike për të çuar më përpara paqen dhe pajtimin.

Top Channel