Kreu i PD-së, Sali Berisha është bërë pjesë e homazheve që po mbahen në Presidencë në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani.
“Isha për të shprehur nderimin tim më të madh, për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fjonën, zinë e kësaj gjëme të madhe që ju ka rënë atyre, miqve dhe të afërmve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë parë tek Bujar Nishani një qytetar shembullor. Familja, një prind të shkëlqeyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar, një nga shtetarët më dinjitoz, në tërë historinë e tij.
Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët, njërin nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Nishani në dekada, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rënie, përkundrazi, erdhi gjithnjë në forcim.
Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është që shpirërisht ai është gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si bashkëpunëtor, mik, të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë dhe të mbarë shqiptarëve.
Ndaj dhe duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërmit e tij shpreh ngushëllimet e mia atyre, shqiptarëve që humbën sot ish-kreun e shtetit që i dha në atë detyrë dinjitet të madh, institucionit të Presidentit, por dhe mbarë shqiptarëve. I paharruar dhe i përjetshëm do mbetet kujtimi i tij”, tha Berisha.
Homazhet në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani po mbahen këtë të mërkurë në Presidencë.
Arkëmorti është vendosur në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët po presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq e dashamirës të ish-presidentit. Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë. Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.
Arkëmorti i presidentit Nishani do ta lerë Presidencën në orën 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.
Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.
Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid-19 i la në organizëm.
Top Channel