Superfansi i Kombëtares Shqiptare, i cili mbahet mend për dronin në mes të Beogradit është lënë i lirë ditën e sotme.

Morina u arrestua nga policia në Kukës për llogari të Durrësit më 25 maj pasi nuk kishte kryer 5 muaj burg nga dënimi për armëmbajtje pa leje. Pasdrekën e së martës në gjykatën e Durrësit, me kërkesë të Morinës, u zhvillua seanca me objekt “parashkrim dhe ekzekutim vendimi, rivendosje në afat për të drejtën e ankimimit”.

Nga ky moment Morina është i lirë dhe do të kryhen procedurat për ta liruar nga burgu, pasi gjykata e Durrësit e gjeti të drejtë kërkesën për ta rivendosur në afat të drejtën e ankimit. Ndaj tij është dhënë një vendim revokimi në mungesë për vendimin penal. Procedurat e mëtejshme do t’i ndjekë gjykata e Apelit, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.”

Morina, sipas avokatit nuk ka qenë në dijeni që ka pasur edhe 5 muaj nga vuajtja e dënimit dhe pritet që këtë ta konvertojë me shërbim prove. Të paktën kjo do të jetë kërkesa e tij pas ankimimit të vendimit të marrë në mungesë nga gjykata e Durrësit që ka caktuar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit prej 5 muajsh e 12 ditësh, pas revokimit të vendimit të gjykatës së Tiranës për lirimin e tij me kusht.

I njohur dhe si Ballist Morina, 40-vjeccari u bë i njohur pasi ngriti dronin me flamurin shqiptar “Autochthonous” mbi stadiumin e Beogradit në 2014-n.

Top Channel