Një avion i vogël me 22 persona në bord, që po fluturonte në një zonë turistike, u zhduk në malet e Nepalit të dielën, tha një zyrtar.

Avioni i Tara Airlines, që ishte paraparë të kryente një fluturim 15-minutës në qytetin malor të Jomsomit, u nis nga qyteti turistik Pokhara, 200 kilometra në lindje të Katmandusë. Avioni humbi kontaktin me aeroportin pak kohë pas nisjes.

Zyrtari policor, Ramesh Thapa, tha se zyrtarët e aviacionit nuk kanë asnjë informacion për avionin dhe se kërkimet kanë nisur.

Në bordin e avionit gjendeshin gjashtë shtetas të huaj, përfshirë katër indianë dhe dy gjermanë, tha një zyrtar policor.

Në zonën ku është zhdukur avioni, ditëve të fundit ka rënë shi, por fluturimet kanë vazhduar normalisht. Avionët në këtë zonë zakonisht fluturojnë përmes maleve dhe më pas aterojnë në një luginë.

Kjo është një zonë mjaft e popullarizuar dhe të huajt ngjisin malet në këtë pjesë. Por, po ashtu pelegrinët nga India dhe Nepali vizitojnë një tempull që gjendet në këtë pjesë.

Sipas të dhënave nga ueb-faqja flightradar24.com, që gjurmon rrugëtimin e avionëve, avioni i zhdukur u nis nga Pakhara në orën 04:10 dhe sinjalin e fundit e ka transmetuar në 04:22.

Më 2016, avioni i kompanisë Tara Airlines, që po kryente udhëtimin në rrugën e njëjtë, u përplas pak kohë pasi u nis nga aeroporti, duke vrarë të 23 personat që gjendeshin në bord./Rel

Top Channel