Ktheu banesën në magazinë për kultivimin e lëndëve narkotike, në pranga 29-vjeçari në Kurbin

28/05/2022 09:58

Një 29-vjeçar me inicialet Y.T është vënë në pranga ditën e sotme në Kurbin, pasi përshtati ambjentin e shtëpisë në magazinë për kultivimin e lëndëve narkotike.

Policia arriti të sekuestrojë 57 kg bimë të dyshuara narkotike, të grira e të vendosura në proces tharjeje brenda një banese si dhe 100 bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara jashtë saj.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda banesës së Y. T., 29 vjeç, banues në lagjen “Drita” Mamurras,që e kishte përshtatur si magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 57 kg bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të grira e të vendosura në proces tharjeje.

Në vijim të kontrollit u sekuestruan edhe 100 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u gjetën të kultivuara në ambientet e jashtme të banesës së shtetasit Y. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel