Revolucion në klubin anglez/ Largohen 10 futbollistë, një shqiptar në listën e objektivave

27/05/2022 21:26

Pas një sezoni mjaft pozitiv, ku mbërriti deri në gjysmëfinalet e Europa Leagues dhe u rendit në vendin e 7 në Premier League, duke siguruar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Conference League, klubi i West Hamit po përgatitet për një revolucion të vërtetë këtë verë.

Bëhet fjalë për kapitenin legjendar Marc Noble, i cili zhvilloi edhe ceremoninë e lamtumirës me West Ham, pas një jete me fanellën e “çekanëve”. Gjithashtu nga skuadra do të largohet edhe ukrainasi Yarmolenko, të cilit i skadon kontrata në fund të qershorit dhe nuk ka marrë ofertë për rinovim.

Nuk do t’u ofrohet rinovimi as mbrojtësit 30-vjeçar Ryan Fredericks dhe portierit 36-vjeçar David Martin, teksa nga West Ham do të largohen edhe Nathan Holland, Jayden Fevrier, Bernardo Rosa, Amadou Diallo, Ossama Ashley dhe Isaac Evans.

Këta 10 futbollistë nuk bënin më pjesë në planet e trajnerit skocez Moyes, megjithatë gjatë verës nuk përjashtohet edhe largimi i Declan Rice, i cili ka një rol vendimtar, por kërkohet nga klube të shumta angleze.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e klubit po punojnë për të përforcuar ekipin me emra të rinj, teksa njëri prej objektivave është edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, pas sezonit pozitiv që bëri me Southampton./ SuperSport

Top Channel