Java greke në Gjirokastër/ Nis me “200 vjet poezi moderne greke”

27/05/2022 12:28

“200 vjet poezi moderne greke” ishte eventi kryesor që çeli javën e Kulturës Greke në Gjirokastër. 

Vargje të njohura ndërkombëtarisht  nga Seferis, Kavafi, Elytis, Ritsos, Valaoritis, Solomos, Palamas, Dimula, Kalvos, Gatsos u sollën të recituara në të dy gjuhët në të parin event të llojit të vet.

Mbrëmja poetike greke shoqëruar edhe me kompozimet muzikore të frymëzuara prej vargjeve erdhi si bashkëpunim i departamenteve të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe asaj Greke në universitetin e Gjirokastrës mbështetur nga konsullata e Greqisë. Merita Gjokutaj profesore e letërsisë shqipe sjell në vëmendje nevojën e njohjes së ndërsjelltë duke përfshirë këtu edhe sferën akademike. Botimi së fundi  i disa antologjive mbi poetët greke ka rritur njohjen për ta në Shqipëri gjë që do të ishte mirë sipas saj të ndodhte edhe me poezinë shqipe në Greqi.

Ndërkaq Panajot Barka nga departamenti i Gjuhës dhe Qytetërimit Grek beson se politika dhe ngarkesat me karakter nacionalist kanë penguar në një masë të caktuar ndërveprimin dhe njohjen e kulturave.

Vetë poezia greke tha shkrimtari Odise Kote është krijuar mbi larminë kulturore. Ajo sjell aspekte të tematikave njerëzore të dramës prej emigrimit, jetës në vetmi, dilemave ekzistenciale dhe në këtë pikpamje minoriteti grek në Shqipëri si dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë mundësi ta sjellin më afër kulturën.

Aktivitetet për Javën e Kulturës Greke do të shoqërojnë edhe fundjavën me shfaqjen e dy filmave “Eftichia” dhe “Rrobaqepësi”

 

Top Channel