Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen në të njëjtën kohë me një sërë goditjesh ekonomike. Ekonomia e rajonit sapo kishte filluar të rimëkëmbej nga recesioni i shkaktuar nga pandemia e Covid-19, por tani duhet të përballet edhe me pasojat e luftës në Ukrainë, një rritje të ndjeshme të inflacionit dhe një tranzicion urgjent në sektorin energjitik.

Ecja përpara përmes këtyre krizave përfshin rreziqe, dhe do të kërkojë zgjedhje të kujdesshme. Të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përjetuan një rimëkëmbje të madhe ekonomike me 7.4 për qind rritje në vitin 2021, ndërsa rajoni nisi të dalë nga recesioni ku u zhyt në vitin 2020.

Në fakt, norma e rimëkëmbjes i tejkaloi parashikimet, për shkak të një kombinimi të rritjes së kërkesës së konsumatorit, kufizimeve të lehtësuara për udhëtimet, pavarësisht shkallëve të larta të infeksionit dhe normës së ulët të vaksinimit, dhe një rikthimi të investimeve dhe rritjes së eksporte – që të gjitha këto të ndihmuara nga mbështetja e vazhdueshme fiskale nga qeveritë e rajonit.

Pra patëm një rikthim tek rritja ekonomike, me krijimin e vendeve të reja të punës, që ndihmoi në uljen e varfërisë në të gjithë rajonin. Po ashtu gjatë vitit të kaluar u rritën të ardhurat nga taksat, duke reduktuar deficitet buxhetore dhe borxhin publik.

Megjithatë, një vit rritje nuk është koha e mjaftueshme për çdo vend për ringritjen e ekonomisë dhe për t`u përgatitur për krizën e ardhshme. Borxhi publik ra në 57 për qind të PBB-së në vitin 2021, rreth 4 për qind më i ulët sesa kulmi i vitit 2020, por gjithsesi 50 për qind më i lartë në krahasim me periudhën para Covid-19 të vitit 2019.

Për pasojë, qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor hynë në këtë vit me një hapësirë më të kufizuar për manovrim. Edhe para shpërthimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor tashmë po ngadalësohej drejt normave të para krizës. Po ashtu edhe inflacioni po rritej pasi kufizimet e ofertës dhe kërkesa e ndrydhur në të gjithë botën, sollën rritjen e çmimeve.

Lufta në Ukrainë po i përkeqëson këto dy tendenca, dhe po vazhdon ta rrisë inflacionin gjithnjë e më shumë. Gjithashtu ajo po e dëmton besimin e biznesit dhe konsumatorit, duke ndikuar tek tregtia dhe turizmi, dhe duke shkaktuar ndërprerje serioze në zinxhirët e furnizimit me ushqim dhe energji.

Kjo vlen sidomos për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat janë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më të ekspozuara ndaj tregtisë me Rusinë dhe Ukrainën. Ballkani Perëndimor përballet aktualisht me një perspektivë veçanërisht të pasigurt.

Përveç shpërthimit të luftës në Ukrainë, Covid-19 nuk është zhdukur dhe ndërprerja e energjisë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ka nxjerrë në pah dobësitë që lidhen me mbështetjen ende të madhe të rajonit tek lëndët djegëse fosile.

Ndërsa ne prisnim një rikthim të fortë e të vazhdueshëm të rritjes ekonomike në vitin 2022 pasi u hoq shumica e masave epidemiologjike, dhe teksa një kërkesë ende e ndrojtur nxiti rritjen e konsumit dhe investimeve, lufta e ka prishur këtë trajektore.

Sipas skenarit bazë, ne presim që prodhimi real të rritet me 3.1 për qind në vitin 2022 – një rishikim me rënie thuajse 1 për qind – dhe nën normën historike të rritjes për rajonin. Për më tepër, rënia e vazhdueshme ekonomike dhe parashikimet për një inflacion më të lartë, mund të ndodhin nëse konflikti Ukrainë-Rusi do të shtrihet edhe në verën e këtij viti, nëse do të intensifikohen sanksionet dhe nëse ngadalësohet më tej rritja ekonomike e BE-së.

Rajoni po përballet aktualisht jo vetëm me një ngadalësim të rritjes ekonomike, por rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, nënkupton se familjet më të varfra që shpenzojnë më shumë se sa 60 për qind të buxheteve të tyre për ushqim dhe energji po përjetojnë një normë veçanërisht të lartë inflacioni.

Shpeshherë atyre u mungojnë mekanizmat e përballimit të një kostoje më të lartë të jetesës. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor e përballuan relativisht mirë goditjen e fortë nga pandemia e Covid-19, pasi ato u rimëkëmbën më shpejt dhe më fuqishëm se sa pritej, duke përdorur politikën fiskale për të mbështetur familjet dhe kompanitë më të cënueshme.

Megjithatë, burimet janë varfëruar, dhe tani sfidë kryesore është si t’u përgjigjemi nevojave me emergjente, duke mbajtur ndërkohë në vëmendje reformat e nevojshme për të mbështetur një rritje ekonomike të shpërndarë në një mënyrë më të barabartë, më të gjelbër dhe tëqëndrueshme nesër.

Qeveritë do të duhet të jenë të kursyera, duke i përdorur me kujdes burimet e tyre të kufizuara fiskale për të mbrojtur familjet më të varfra, të cilat shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre për ushqim dhe energji.

Masat politike për t’iu përgjigjur nevojave aktuale dhe emergjente, duhet të jenë të kufizuara në kohë, në mënyrë që qeveritë të mund t’i kthehen rindërtimit të mekanizmave mbrojtës, teksa presionet nisi të lehtësohen.

Së fundmi, qeveritë nuk duhet të harrojnë reformat e neglizhuara që nga viti 2020, të cilat janë jetike për forcimin e rritjes potenciale ekonomike afatgjatë. Reformat strukturore për të përmirësuar kapitalin njerëzor, për të mbështetur pjesëmarrjen në tregun e punës (veçanërisht për gratë dhe të rinjtë) dhe për të forcuar konkurrencën, do të ndihmonin në nxitjen e rritjes potenciale që ishte ngadalësuar edhe para krizës aktuale.

Për më tepër, tërheqja e investimeve të huaja më miqësore me mjedisin dhe me vlerë të shtuar më të lartë, do të kërkonte përpjekje më të mëdha për të përmirësuar rregulloret e biznesit dhe për të nxitur ndërlidhshmërinë dhe dixhitalizimin./bota.al

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA