Finalja/ U arrestuan 68 tifozë italianë, holandezë dhe kroatë të përfshirë në akte dhunë në Tiranë

26/05/2022 19:35

Finalja e UEFA konferencë ligës e mbajtur në Tiranë mes Romës dhe Feyenoordit që njihen për tifozëri të zjarrta dhe problematike shkoi qetë dhe pa problematika të mëdha kjo edhe falë angazhimit profesional të 2800 forcave policore të cilat kaluan testin për të menaxhuar aktivitete të këtij niveli. Për të gjithë policët e angazhuar është menduar t’u ofrohet një shpërblim.

“Në krejt historinë e saj, jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe mbarë vendi ynë nuk ishte ndeshur me peshën e organizimit të një eventi të tillë. Kjo ishte një përvojë e parë e këtyre përmasave, e cila tregoi se Policia shqiptare nuk u gjet e papërgatitur, madje më duhet të pohoj se duke parë përvojat dhe pasojat e shkaktuara në disa prej qyteteve të vendeve evropiane në ndeshje të përmasave të tilla, Shqipëria shënoi një ndër sukseset më të shumëpritura në këtë drejtim.”– tha Gledis Nano.

Në gjithë aktivitetin si para, gjatë dhe pas ndeshjes u shënuan vetëm 3 incidente nga të cilët u lënduan 19 punonjës policie dhe u shoqëruan nga uniformat blu  68 tifozë holandezë, italianë dhe kroatë.  Në prangat e policisë ranë 2 tifozë holandezë të cilët një ditë para ndeshjes dhunuan në 45 vjeçar shqiptar.

Po ashtu 2 tifozë italianë janë proceduar penalisht për kundërshtim të forcave të policisë në zonën e urës së drejtorisë së tiranës.  Policia iu sekuestroi thika, shkopinj druri, leva hekuri, e sende të tjera të rrezikshme për jetën e shëndetin. krahas ndjekjes ligjore Policia e Shtetit dëboi jashtë vendit, 80 tifozë ultras të skuadrës së Romës. Gjeneralitetet e tyre u janë dhënë edhe policive partnere të cilat do ti kenë të skeduar për aktivitetet e tjera sportive që do të mbahen në të ardhmen.

Në muajin prill të këtij viti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ngrit pika kombëtare për shkëmbim informacioni për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, e cila që nga dita e parë e krijimit të saj ishte në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit jo vetëm me ato të Italisë dhe të Holandës, por edhe të vendeve të tjera fqinje dhe ato evropiane, për të marrë modelet më të mira të praktikës së policimit të ndeshjeve të futbollit të një dimensioni ndërkombëtar.

Kjo ndeshje futbolli përveç benefiteve të tjera që solli në vendin tonë ndihmoi edhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë si një vend i sigurt.

 

Top Channel