Frika e luftës ka përfshirë dhe Hungarinë, që shpalli “gjendjen e rrezikut” për shkak të agresionit rus në Ukrainën fqinje.

Kjo lëvizje i lejon Qeverisë së krahut të djathtë që të ndërmarrë masa të posaçme pa pasur nevojë që të marrë miratimin e Parlamentit. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se lufta në Ukrainë paraqet “një kërcënim të vazhdueshëm për vendin e tij, e kjo  “po vë në rrezik sigurinë tonë fizike dhe po kërcënon sigurinë energjetike dhe financiare të ekonomisë sonë dhe familjeve tona”.

Për këtë arsye, ai njoftoi se “gjendja e rrezikut të luftës” do të hyjë në fuqi duke filluar nga e mërkura, që do t’i lejojë Qeverisë “të përgjigjet menjëherë dhe të mbrojë familjet hungareze dhe Hungarinë me çdo mjet të mundshëm”.

Ky njoftim vjen pasi partia në pushtet e Orbanit të martën, miratoi një amendament kushtetues që lejon shpalljen e gjendjes së rrezikut kur në vendet fqinje ndodhin konflikte të armatosura, luftëra ose katastrofa humanitare. Ky mjet i posaçëm juridik e lejon ekzekutivin të nxjerrë ligje me dekret dhe pa mbikëqyrje parlamentare dhe lejon pezullimin e përkohshëm apo shmangien e ligjeve ekzistuese.

Qeveria e Orbanit është akuzuar për kufizim të lirive demokratike në Hungari qëkur ai mori pushtetin në vitin 2010 dhe se ka përdorur burimet shtetërore për të konsoliduar pushtetin.

Partia në pushtet, Fidesz, më 3 prill fitoi zgjedhjet, duke i dhënë Orbanit edhe një mandat katërvjeçar në krye të ekzekutivit hungarez.

Top Channel